Bota Barcelona nuk gjen paqe nga protestat, 2.5 milion euro dëme nga demonstratat

Barcelona nuk gjen paqe nga protestat, 2.5 milion euro dëme nga demonstratat

Më shumë se 2.5 milion euro mendohet të jetë shuma e dëmeve materiale të shkaktuara nga protestat e dhunshme në Barcelonë. Në ditën e shtatë të protestës, në shesh kanë zbritur dhe ata që kundërshtojnë kërkesën për pavarësinë nga Spanja.

Për ditën e shtatë radhazi në rrugët e Barcelonës është derdhur sërish zemërimi i shumë qytetarëve, të cilët protestojnë kundër dënimeve të rënda që gjykata spanjolle i dha liderëve politikë pro pavarësisë nga Spanja

Në objektivin e manifestuesve ka qenë selia periferike e qeverisë së Madrid kundër së cilës u hodhën me dhjetëra qese me mbeturina

Ndërsa në nivel politik nuk ka asnjë zhvillim, meqenëse vijon përballja mes kryeministrit spanjoll në detyrë Pedro Sancez dhe presidentit të Katalonjës, Kuim Tora. Ministri i brendshëm spanjoll u shpreh se problemet kanë të bëjnë me rendin publik. Sipas tij ata që donin të protestonin në mënyrë paqësore e bënë, por ka dhe nga ata që shkelin kushtetutën spanjolle dhe kodin penal

Por në shesh kanë zbritur dhe katalanas që kundërshtojnë kërkesën për pavarësi. Së bashku me drejtuesit e partive si Siudadanos, këta të fundit u mblodhën përpara selisë së përgjithshme të policisë kombëtare.

Sipas vlerësimeve të para, protestat e dhunshme në Barcelonë kanë shkaktuar dëme të një vlere prej më shumë se 2.5 milion euro.