Sport Bartomeu “blindon” yjet: Messi është vetë Barcelona. Iniesta do të kthehet

Bartomeu “blindon” yjet: Messi është vetë Barcelona. Iniesta do të kthehet

Josep Maria Bartomeu qetëson tifozët e Barcelonës sa i përket të ardhmes së kapitenit Lionel Messi dhe kroatit Ivan Rakitiç. Në një intervistë për televizionin shtetëror spanjoll TVE, presidenti i klubit katalanas premtoi qëndrimin përjetë të sulmuesit argjentinas në “Camp Nou”.

“Messi do të qëndrojë këtu. Jeta e tij është e lidhur me atë të Barcelonës. Do të bëjë atë që bëri Pelè te Santosi. Besoj se nuk do të ikte nga Barcelona edhe nëse do të kishte klauzolë të zgjidhjes së kontratës prej vetëm 1 euro. Messi është vet Barcelona”, tha Bartomeu.

Sa i përket Rakitiç, deklarata e Bartomeut nuk do t’iu pëlqejë aspak tifozëve të Interit, që javët e fundit kishin filluar të ëndërronin kalimin e kroatit në Milano.

“Rakitiç ka një kontratë me ne, është një futbollist që është përmirësuar shumë nga momenti i transferimit te Barcelona. Prania e tij nuk diskutohet nga askush. I kemi thënë që do ta përmirësojmë kontratën e tij, edhe pse jemi vonuar në këtë pikë për shkak të problemeve ekonomike. Rakitiç është shumë i vlefshëm për ne”, vijoi më tej Bartomeu.

Në fund të intervistës së tij, Bartomeu theksoi se është i sigurtë që Andres Iniesta do të kthehet te Barcelona, pasi të ketë përfunduar aventurën e tij në kampionatin japonez.