Politika Basha akuzon Berishën se ka vendosur interesin e tij personal mbi atë...

Basha akuzon Berishën se ka vendosur interesin e tij personal mbi atë të PD-së

Në një takim me simpatizantë të PD-së në Durrës, ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, është shprehur se sipas tij, demokratët janë ndarë për bindje dhe për vlera.

Gjatë fjalës së tij, Basha ka thënë se bindja e tij ka qenë dhe do të mbetet që PD-ja duhet t’i rrijë vlerave të saj teksa ka shtuar se në fund ka marrë një vendim në interes të demokratëve.

Ndaj kreut të PD-së, Berishës, ka hedhur akuza duke thënë se ka vendosur interesin e tij personal mbi atë të PD-së.

Basha është shprehur se nuk ka ngjitje mekanike në PD, por se sipas tij, demokratët duhet të bashkohen rreth vlerave.

Lulzim Basha: Të shohim si mund të bashkohemi, duhet të kuptojmë se pse u ndamë. Ne u ndamë për bindje, për vlera. Bindja ime ka qenë dhe mbetet që PD duhet t’i rrijë vlerave. Aleanca me Perëndimin është e paevitueshme. Ne kemi pranuar 1 standard, kur aleati ynë strategjik, mban një qëndrim ndaj një individi, edhe ne mbajmë një qëndrim ndaj atij individi, kur diçka e tillë i ndodhi liderit historik të partisë tonë. Nuk u nguta unë, i kërkova ashtu siç i kam kërkuar prej 9 vitesh me respekt, me të cilin respektojmë të moshuarin, të reflektonte për të mirën e familjes së tij politike, pata besim se do ta bënte dhe në fund kur kjo nuk u bë, mora një vendim për interesat e demokratëve.

Ka qenë një vendim shumë i vështirë, por siç e provoi edhe 14 Maji, vendim i drejtë. Imagjinoni nëse ai do të kishte lënë PD-në e lirë që të afronim njerëz, sot do të kishim kryetarin tonë të bashkisë së Durrës, sot do të kishim një shpresë të madhe që do të lindte nga një rezultat. Dikush vendosi interesin e tij personal mbi interesat e PD-së. Për interesin e tij, sakrifikoi PD. Unë pa asnjë problem personal, hodha një hap pas që t’i shërbeja interesit të PD-së. Gjërat u bënë më keq. Kjo është arsyeja pse ndodhi kjo përçarje.

Nuk ka ngjitje mekanike në PD, demokratët duhet të bashkohen rreth vlerave. Ne duhet të bashkohemi rreth vlerave. Ne duhet të jemi të bindur se çfarë është e mirë për Shqipërinë, është e mirë edhe për PD-në. Kur ne jemi të bindur për këtë dhe ta ndajmë këtë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, atëherë do të jenë gati të na ndjekin për projektin tonë politik, çlirimi i poltikës, çlirimi i ekonomisë dhe hapja e rrugës së bllokuar të Shqipërisë drejt BE.