Kryesore Basha: Anulimi i datës së zgjedhjeve nuk është fundi i betejës sonë

Basha: Anulimi i datës së zgjedhjeve nuk është fundi i betejës sonë

Në fjalën e tij para protestueseve, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se ngjarjet e fundit janë të lidhura me fatin europian të Shqipërisë.

“Ashtu siç e keni dëgjuar, falë vendosmërisë suaj të pathyeshme, Presidenti i Republikës ka marrë vendimin për anulimin e 30 qershorit, datës së planifikuar nga regjimi i bandës së Edi Ramës, për të ekzekutuar krimin e shëmtuar elektoral, për të kapur përmes një procesi monist. Kjo është vetëm rezultat i forcës suaj të pathyeshme, i qëndresës suaj, besimit tuaj të palëkundur te vlerat europiane, të lirisë, demokracisë, dinjitetit njerëzor”, tha Basha.

“Anulimi i datës së zgjedhjeve nuk është fundi i betejës sonë, por është vetëm një rezultat i një populli të bashkuar.

Le ta themi këtu të gjithë së bashku. Le ta ndajmë vendosmërinë tonë për ta çuar deri në fitore këtë betejë të nisur. E gjithë bota është tronditur këtë javë nga përgjimet e publikuara nga Bild, e cila faktoi se Edi Rama është një kryeministër ilegjitim, se pushteti nuk e mori me votat, por me bandat. Në Shqipëri sundon një qeveri e zgjedhur nga mafia dhe jo nga populli dhe këtë tashmë e di e gjithë bota. Këto fakte i kanë hapur sytë çdo shqiptari mosbesues”, deklaroi kreu i PD-së.