Politika Basha: Bëra gabim që fola tek Bruno Vespa, më censuruan

Basha: Bëra gabim që fola tek Bruno Vespa, më censuruan

Kreu i PD Lulzim Basha është pyetur për vizitën e Ramës në Itali si dhe intervistat e tij për mediat italiane.

Gjatë një lidhje telefonike për emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në News24, Lulzim Basha tha se është censuruar tek prononcimi i tij për emisionin e Bruno Vespas ‘Porta a Porta’, pasi marrëveshja ishte se do transmetohej 3 minuta e gjysmë, por emisioni ka transmetuar vetëm 1 minutë e gjysmë të intervistës së tij.

“Më kanë shkurtuar minutat, pasi marrëveshja ishte që do më jepnin tre minuta e gjysmë. Bëra një gabim. Por pak rëndësi ka kjo. Këto janë pleshtat e fundit të qenit që ka ngordhur“, tha Basha.

Kreu i PD, Lulzim Basha tha se nuk bëhet fjalë për luftë mes palëve politike, por për Shqipërinë e së nesërmes.

“Çështja nuk shtrohet nëse opozita duhet të veprojë si njësit guerrilë e të hedhë molotov. Çështja nuk është për të vendosur një mur ndarës mes një grushti shushunjash që grabisin miliarda. Unë jam më i interesuar si lider i PD që të bashkojmë edhe ata të majtë.  Interesi im është ne të bashkohemi si shqiptarë.  Kjo nuk është luftë mes palëve politike por për Shqipërinë e së nesërmes. Si do jetë Shqipëria e nesërme, si vendet e Afrikës apo si vendet perëndimore? Për të dytën duhet bashkim dhe jo mure”- tha Basha.