Politika Basha: Bizneset me xhiro deri në 140 mijë dollarë në vit do...

Basha: Bizneset me xhiro deri në 140 mijë dollarë në vit do të përjashtohen nga TVSH-ja

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke iu përgjigjur komenteve të qytetarëve në rrjetet sociale, thotë se protesta ka patur dhe do të ketë pa pushim, nga minatorët te naftëtarët, nga studentet te bizneset e vogla e të mesme”.

I pyetur për zgjedhje të parakohshme, Basha thotë se “e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës së rëndë politike, social-ekonomike dhe institucionale në vend, janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet kushtetuese lokale, nga ku qytetarët me votë të lirë duhet të zgjedhin qeverisjen e tyre”.

“Këtë qëndrim e kam ndarë gjatë kësaj kohe edhe me shumë partnerë ndërkombëtar që jam takuar, të cilët janë të ndërgjegjshëm tashmë se vendi ka nevojë për zgjidhje urgjente dhe se kriza që po kalon vendi duhet të marrë fund sa më parë. Nuk pres dhe nuk duhet të presim që zgjidhjen të na e ofrojnë partnerët tanë. Ata kanë qenë dhe janë aty gjithmonë, si miq të mirë të Shqipërisë, për të na ndihmuar. Por Shqipëria ka të gjitha mundësitë që të dalë nga tranzicioni i tejzgjatur, nëpërmjet bashkimit të shumicës së shqiptarëve të ndershëm, që kanë vendosur ta ndërtojnë jetën në vendin e tyre, duke i dhënë zgjidhje njëherë e mirë problematikave që kanë prodhuar krizë të herë pas hershme”, shprehet Basha.

“Protestat nuk janë qëllim në vetvete, por janë një ndër të shumta instrumenta që ne po përdorim për të realizuar qëllimin tonë për të larguar qeverinë”, përgjigjet Basha duke shtuar se “zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë zgjidhja dhe shumë shpejt do t’i kemi ato”.

Po ashtu kryetari i PD-së u është përgjigjur qytetarëve në lidhje me heqjen e taksë së naftës.

“Do të heq menjëherë me ligj taksën Rama mbi karburantet. Një litër karburant do të kushtoje 300 lekë (te vjetra) me pak. Mjaft më me çmimin më të lartë të karburantit në Europë”, shprehet ai.

Një tjetër premtim i kryetarit të PD-së Basha është kthimi i pronës pronarëve.

“Është detyrim kushtetues kthimi i pronës te pronari i ligjshëm dhe ne do ta bëjmë atë. Në rastet kur nuk është e mundur, atëherë do të procedojmë me kompensimin financiar sipas vlerës se tregut”, shprehet ai.

Interesi i qytetarëve ka qenë në lidhje dhe me biznesin, ku lideri i opozitës Basha ka premtuar se “çdo biznes me xhiro deri në 140 mijë dollarë në vit do të jetë i përjashtuar nga TVSH-ja. Ndërsa shtresat që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përfitojnë falas 200 kw e parë te konsumit të energjisë. Çdo fermer, duke alokuar 100 milionë euro çdo vit për këtë zë. Financim në masën 50 milionë euro për infrastrukturën ne sektorin e bujqësisë”.