Kryesore Basha e kërcënoi me burg, përgjigjja e Ramës: Nuk të pres gjatë

Basha e kërcënoi me burg, përgjigjja e Ramës: Nuk të pres gjatë

Kryeministri Edi Rama reagoi pasi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se pas zgjedhjeve të reja, vendi i Ramës do të jetë burgu.

“Nëse mendon se me konfliktin e krijuar dhe me prishjen e stabilitetit demokratik të vendit, do të marrësh garanci për kokën tënde dhe të hajdutëve që të rrethojnë, po ta them prerë dhe shkurt: Vendi yt pas zgjedhjeve të reja është në burg, atje ku shkon çdo individ që me dashje kryen një krim kundër vendit dhe qytetarëve të tij. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojnë të kenë në plan të parë, jo lojën tënde dhe të krimit që të drejton prej 22 vitesh në politikë, por hallet dhe problemet e shqiptarëve, që ti dhe Qeveria jote i kanë braktisur për hallet e tua personale”, shkruan Basha në Twitter.

Edhe kreu i qeverisë iu përgjigj në Twitter: “Reagimi yt ndaj ftesës sime për të vijuar punën bashkarisht dhe reflektuar në Ligjin Zgjedhor risitë kushtetuese është shumë i nxituar! Kërcënimet për konflikt e për fatura kostosh personale, tregojnë humbje të busullës! Në emër të shqiptarëve vendos Parlamenti. Prandaj mos humb kohë me dokrra të vjetra, duke përsëritur po atë avaz që ju ka çuar nga humbja në humbje, po le të vazhdojmë punën e nisur. 5 qershorin aty e ke, top në Ligjin Zgjedhor, ku tani duhet të integrojmë edhe 30 korrikun! Ta bëjmë së bashku e mos harro, s’presim dot gjatë”.