Politika Basha falënderon ekipin mjekësor shqiptar që shkoi në Itali

Basha falënderon ekipin mjekësor shqiptar që shkoi në Itali

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka komentuar vendimin e qeverisë për të dërguar në Itali një grup mjekësh dhe infermierësh në luftën ndaj pandemisë.

Përmes një video-konference me gazetarët Basha falenderoi ekipin mjekësor që pranoi të shkonte dhe i uroi atyre të kthehen shëndoshë e mirë në Shqipëri.

Një tjetër falenderim, kreu i opozitës e pati edhe për mjekët e infermierët shqiptarë që tashmë jetojnë në Itali.

“Dua t’i falenderoj nga zemra ata mjekë dhe infermierë që kanë treguar gatishmërinë të mbështesin Italinë. Dua t’i uroj punë të mbarë dhe i uroj të kthehen shëndoshë e mirë. Dua të falenderoj me qindra në mos me mijëra mjekë dhe infermierë që ndodhen tashmë në Itali, një pjesë prej tyre larguar për arsye që të gjithë e dimë gjatë viteve të fundit”.

Basha kërkoi vëmendje maksimale për personelin shëndetësor në Shqipëri. Sipas tij, ata janë në gjendje stresi e presioni konstant dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.

“E gjithë shoqëria është në një borxh mirënjohjeje të thellë me ta. Vazhdojnë të kryejnë akte heroizmi për njerëzit të cilat janë të panjohura për ta”, tha Basha sipas të cilit mbështetja më e mirë ndaj tyre është ë të kenë pajisje mbrojtëse.

Edhe mbërritjen e pajisjeve mjekësore nga Turqia, Basha e konsideron të vonë dhe këtë sipas tij e tregon fakti që mes të infektuarve ka anëtarë të personelit shëndetësor.