Ekonomi Basha flet për planin ekonomik për biznesin e vogël: Do të ketë...

Basha flet për planin ekonomik për biznesin e vogël: Do të ketë vetëm 1 taksë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha premton mbështetje për biznesin e vogël sapo forca politike që ai drejton të vijë në pushtet.

Në një postim në Facebook, Basha thotë se bizneset e vogla do të paguajnë vetëm një taksa sa 0.5% të xhiros, ndërsa të gjitha taksat e reja do të zerohen. Sipas tij, kjo do t’u japë frymëmarrje bizneseve do të nxisë punësimin.

“Plani ynë ekonomik ka në themel të tij mbështetjen dhe nxitjen e bizneseve të vogla si gjenerator të punësimit të shqiptarëve. Një taksë e vetme sa 0.5% e xhiros, dhe do të heqim të gjitha taksat dhe tarifat lokale, për të luftuar informalitetin, për të rritur fitimin dhe për të nxitur punësimin. Karantinimi i çdo inspektoriati për 1 vit, deri në një reformë të vërtetë të standardeve europiane, do të zhdukë terrorin e bandave të inspektoriateve dhe do të rivendosë dinjitetin dhe lirinë e sipërmarrjes. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë një qeveri që me përgjegjshmëri dhe seriozitet do ti kthejë frymëmarrjen ekonomisë sonë”.

Kreu i demokratëve akuzon qeverinë për keqmenaxhimin e situatës së shkaktuar nga pandemia, duke sjellë mbylljen e shumë bizneseve.

“Paaftësia e qeverisë Rama për ti ardhur në ndihmë ekonomisë në këtë kohë krize të thellë, është vrastare për biznesin e vogël i cili punëson 70% të shqiptarëve. Ritmet e mbylljes së bizneseve të vogla po rriten çdo muaj. Sot ato po ulin masivisht qepenat duke lënë pa punë mijëra familjarë prej taksave të larta, korrupsionit dhe tarifave të shumta të pushtetit lokal”.