Politika Basha: Fola me përfaqësues të lartë të BE-së, kufijtë për Shqipërinë nuk...

Basha: Fola me përfaqësues të lartë të BE-së, kufijtë për Shqipërinë nuk hapen në korrik

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se ka komunikuar dje me disa përfaqësues të lartë të BE-së, të cilët i kanë thënë se kufijtë e Shqipërisë me BE-në nuk do të hapen në korrik.

Këtë deklaratë, Basha e ka bërë në një video të transmetuar live nga Divjaka, ku zhvilloi takime me qytetarët.

Basha fajëson qeverinë e kryeministrit Rama, për këtë mbyllje të kufijve dhe rritjen e numrit të të infeksuarve që solli këtë.

“Të paktën deri me 15 korrik dhe gjasat janë sipas një bisede që pata edhe mbrëmë me disa prej përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian gjatë një darke zyrtare, që edhe gjatë gjithë muajit korrik Shqipëria do të mbetet zonë e kuqe, e rrezikut, kjo për arsye se shumica e vendeve të tjera ku infeksionet po bien, në Shqipëri po rriten. Sot Shqipëria ka numra rekord infektimesh dhe shtrimesh dhe fatalitetesh.

Ky është rezultat i propagandës mbi politikën shëndetësore, nuk janë marrë masa për mbrojtjen e personelit shëndetësor, i keni parë numri i të infektuarve dhe viktimave mes profesionistëve të bluzave të bardha është shtuar. Vatrat më të mëdha të infeksionit janë spitalet, dhe si rezultat i kësaj, i gjithë efekti fillestar i karantinës njerëzore dhe ekonomike është zhbërë. Hapi i parë që duhet ndërmarrë është stabilizimi i gjendjes së pandemisë, që deri tani ka vetëm fjalë dhe asnjë masë konkrete për ta ndaluar dhe kthyer të paktën numrin e infektimeve në parametra normalë. Natyrisht sa kohë kemi këtë situatë Bashkimi Europian nuk ka për t’i hapur kufijtë”, deklaroi Basha.