Opozita Basha, fushatë nga çadra: S’do ketë pension nën 25 mijë lekë

Basha, fushatë nga çadra: S’do ketë pension nën 25 mijë lekë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar sot se ka pasur biseda me politikanë të rëndësishme në Bruksel lidhur me protestën 10 ditore të opozitës.

Duke folur Çadra e Lirisë, siç e quan PD-ja, Basha u shpreh se kauza e opozitës po njihet si kauzë e drejtë.

“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë por nuk pranojmë asgjë më pak se çdo pranonte çdo qytetar i Europës zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje pa krim, zgjedhje pa drogë. Edi Rama ka urdhëruar lirimin e kriminelëve dhe bandave për të shkelur vullnetin e shqiptarëve në zgjedhje. Sot fjalën e ka brezi i tretë, ata që me mund dhe sakrifica kanë rritur rininë shqiptare, ata që çuan jetën në një sistem të padrejtë, abuziv dhe gjakatar dhe që sot gëzojnë respektin tonë dhe respektin tim. Por ata nuk gëzojnë mbështetjen dhe konsideratën e një qeverie mashtruese dhe të dështuar në politikat sociale të pensionistëve”, tha Basha.

Gjatë takimit me pensionistët në Çadrën e Lirisë, ai bëri edhe një premtim për këtë brez.

Nuk do të ketë në fund të mandatit të parë pension nën 250 mijë lekë. Këto para nga diku do të dalin, këto para dikush do të duhet ti lëshojë. Këto para sot i ka një grusht njerëzish. Ata ndezin purot e shtrenjta me 50 mijë lekësha. Këtyre njerëzve do tua marrim këto para. Ata do përpiqen të mos i dorëzojnë, do përpiqen ti mbajnë këto privilegje dhe këto para. Kjo është skema e tyre, ata duan ta ruajnë pasurinë përmes një qeverie të kapur. Ndaj është luftë që këto para t’ia marrim një pakice dhe t’ia japim shumicës së qytetarëve që i meritojnë, pensionistëve, studentëve, pacientëve, pedagogëve dhe policisë”, u shpreh Basha.

Sipas tij “politika është rishpërndarje resursesh. Politika e vjetër ia ka dhënë një grushti kriminelësh dhe një grushti oligarkësh. Republika e re do ta zhbëjë këtë me fuqinë e votës së lirë. Ky është ndryshimi, kjo është përmbysja, ky është revolucioni demokratik. Shumica do të rimarrë në dorë fatet e saj. kjo është zgjidhja, zgjidhje tjetër nuk ka. Ju na dëgjoni, ju keni shpresë, ju keni besim dhe vendosmëri”.