Kryesore Basha: Hapja e kordonit policor, plan i Ramës

Basha: Hapja e kordonit policor, plan i Ramës

Hapja e kordonit policor sipas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është një skenar për të nxitur dhe stimuluar dhunë. Në një reagim për mediat, pas tensioneve në protestën që po zhvillohet përpara Kryeministrisë, ku protestuesit tentuan të futen në Kryeministri, Basha akuzoi qeverinë se ka një plan për të nxitur dhunë.

“Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë. Siç e shikoni rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë. Ka nisur para katër ditësh me deklarata të papërgjegjshme të Policisë, ka vazhduar gjithë mbrëmjen e djeshme, ditën e sotme, gjatë kohës që kanë qarkulluar protestuesit”.

“Dhe tani ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore dhe s’kam asgjë me efektivët, se efektivët kanë marrë lule nga ne në fillim të protestës. Ndërkohë me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policor. Kjo do të thotë që ka një plan për të nxitur dhunë. Ka një plan për të nxitur dhunën që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës dhe kjo është e papranueshme”, thotë Basha në reagimin e tij.