Politika Basha, homazhe në Varrezat e Dëshmorëve: Jemi në një situatë të rëndë...

Basha, homazhe në Varrezat e Dëshmorëve: Jemi në një situatë të rëndë shëndetësore dhe ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte i vetëm këtë 28 Nëntor në varrezat e dëshmorëve ku vendosi një kurorë me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”.

Për shkak të masave anti-Covid, kreu i opozitës kishte zgjedhur të mos e shoqëronin persona të tjerë në nderimin e festës së pavarësisë, por edhe atë të çlirimit që opozita vijon t’i kujtojë në një ditë.

Basha tha se sot është një ditë feste, por vendi gjendet në një situatë të vështirë për shkak të pandemisë.

“Sot, në Ditën e Pavarësisë dhe Festës së Flamurit, dua t’ju uroj të gjithë qytetarëve dhe bashkëkombasve të mi kudo ku janë, gëzuar festën më madhështore të kombit tonë. Sot kujtojmë me nderim dhe përkulemi me respekt para veprës dhe sakrificës të gjithë bijve dhe bijave të kombit tonë që sakrifikuan gjithçka në altarin e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare. Sot është një ditë feste dhe gëzimi, por ajo na gjen ndryshe nga çdo vit tjetër. Shqipëria dhe shqiptarët po përballen me sfidën e tejkalimit të pandemisë, e cila na ka marrë qindra bashkëqytetarë duke lënduar shumë familje, ndërkohë që mijëra të tjerë po vuajnë pasojat shëndetësore dhe shumë më shumë pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë. Në këto kushte, kjo ditë dhe kjo festë është një kujtesë e fuqisë dhe forcës së kombit tonë. Unë jam i bindur në fuqinë dhe forcën e qytetarëve shqiptarë, në fuqinë dhe forcën tuaj për të qenë së bashku dhe për të tejkaluar së bashku pasojat e kësaj krize dhe pandemie dhe për të dalë më të fortë, më të bashkuar e më të vendosur. Jam i bindur se 28 nëntori tjetër do të na gjejë me një Shqipëri më të shëndetshme, më të mirë dhe më afër Europës. Ju uroj nga zemra gëzuar ditën e Pavarësisë! Gëzuar Ditën e Flamurit”.

Basha u shpreh i bindur se në 28 nëntorin e ardhshëm vendi do të jetë më pranë Bashkimit evropian. Ai zhvilloi më pas homazhe edhe në përmendoren e Ismail Qemalit në Tiranë.