Kryesore Basha: Humbje e thellë për PS, kutitë me votat e PD nuk...

Basha: Humbje e thellë për PS, kutitë me votat e PD nuk janë hapur ende

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se votat e numëruara deri më tani i përkasin bastioneve të Partisë Socialiste.

Në një deklaratë nga selia blu, Basha u shpreh se Partia Socialiste ka rënie të votave edhe në bastionet e saj, ndërsa kutitë me votat e Partisë Demokratike nuk janë hapur ende.

“Qendrat e para që numërohen janë qendrat që janë përcaktuar nga partia në pushtet dhe favorizojnë partinë në pushtet. PS ka humbur thellë numrin e votave të numëruara. Kemi të bëjmë me një humbje të thellë të PS dhe një rritje të numrit të votave të PD. Ky është fillimi. Pas kutive që shpresonin t’i kishin bastion por janë ndëshkuar siç është zona 10 në Tiranë ku PD ka rritje, do të vijë edhe radha e kutive të tjera. Deri sa janë ndëshkuar në ato që i konsideronin bastione, presim që vota për ndryshim të vazhdojë. Ata që e dinë fare mirë se me projeksionet aktuale çfarë i pret në kutitë e tjera t’i lënë lojërat. Janë ata që përpiqen të bllokojnë numërimin në Durrës e kudo tjetër, le të vazhdojnë numërimin. Vazhdoni punën sipas ligjit me përgjegjësi, vullneti i popullit është në ato kuti. Në fund të këtij numërimi ndryshimi do të jetë i prekshëm për të gjithë”.