Politika Basha: Jetik liberalizimi i tregut të energjisë. Mjaft me sheikët e Ramës

Basha: Jetik liberalizimi i tregut të energjisë. Mjaft me sheikët e Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë në një biznes prodhues në zonën e Fllakës në Durrës, ku i shpjegoi sipërmarrësit të saj programin për energjinë “Shqipëria fiton!”.

Kryedemokratik Basha tregoi me detaje se kush do të jenë angazhimet e qeverisë së pas 25 prillit në sektorin e energjisë dhe fusha të tjera të ekonomisë.

“Ka 8 vjet që ka dhënë premtime. Ka premtuar uljen e çmimit të energjisë dhe nuk e ka ulur çmimin e energjisë, as për familjet, as për prodhuesit. Dhe ja ku janë rezultatet siç ka ngecur kjo linja jote kështu ka ngec e gjithë Shqipëria, kështu ka ngec ekonomia shqiptare, me përjashtim të një grupi njerëzish që janë ortakë të Edi Ramës, ata s’kanë ngec, ata janë sheik, jetojnë si sheik madje dhe për të ngrënë shkojnë dhe hanë në restorantet  e sheikëve, pushtetarët dhe një grusht ortakësh të tyre. I gjithë programi ynë ekonomik e kthen Shqipërinë në duart e njerëzve prodhues dhe njerëzve që punësojnë, dhe punonjësve të tyre. Prandaj për ne është jetike liberalizimi i tregut të energjisë”, tha Basha.

Kreu i demokratëve reagoi dhe për çështjen e bursës së energjisë, e cila sipas mazhorancës është e krijuar prej një viti.

“Doli dje o nga injoranca ose nga mashtrimi, se tani nuk i ka ngel gjë tjetër, tha që bursa është krijuar. Ti e di fare mirë që bursa nuk funksionon, që energjia vazhdon të jetë faktikisht e monopolizuar nga dy korporata të korruptuara deri në palcë dhe faturën e korrupsionit dhe të dështimit të tyre, e paguan ti se në momentin që të ikën energjia ty të prishet i gjithë cikli i prodhimit”, përfundoi Basha.