Kryesore Basha ka një pyetje për eurodeputetët, së cilës i përgjigjet po vetë

Basha ka një pyetje për eurodeputetët, së cilës i përgjigjet po vetë

“A do të pranoni për vendin tuaj, këtë që ju i kërkoni shqiptarëve të pranojnë?“ Kjo ishte pyetja që kreu i opozitës, Lulzim Basha, i ka drejtuar sot nga Shkodra, eurodeputetëve të PE-së.

Dhe përgjigjen, Basha e dha po vetë: “Mos më kërkoni asgjë që nuk do të pranonit për popullin tuaj! Ne jemi të vendosur që përmes këtij rrugëtimi të sjellim vlerat europiane në Shqipëri,” deklaroi ai, duke konfirmuar vazhdimin e aksionit politik”.

“Rruga është drejt Evropës është rruga e vetme që do ta çojë Shqipërinë drejt dinjitetit. Në këtë rrugëtim, është radha jonë të bëjmë një sakrificë. Ne e bëjmë këtë sakrificë sepse ne luftojmë për vlerat e Evropës, sepse është e domosdoshme për të zhbllokuar rrugën e  Evropës nga pengesat që i janë vënë asaj në këto 5 vite e akoma më shumë në këto 2 vitet e fundit.

Rrugën drejt Europës e pengon korrupsioni dhe ortakllëku me krimin e organizuar. Të gjithë në Shqipërinë  e dinë dhe në Europë e kanë dëgjuar.

E vërteta dhe faktet na çojnë drejt Europës, nuk shkohet me hile. Ne këtë rrugëtim e nisim me vlera dhe sakrifica e opozitës është për të kthyer demokracinë e vërtetë.

Pengesa kryesore për integrimin e vendit në Europë është “Shqipëria si Kolumbi”, vjedhja me qindra milionë e taksave të shqiptarëve dhe derdhja në xhepat e oligarkëve, pengesa kryesore është qeveria e lidhur me krimin, pengesa kryesore janë zgjedhjet e vjedhura në bashkëpunim me krimin.

Kështu nuk shkohet në Europë. Në Europë shkohet me vlera, me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në cilin vend të Europës kapet qeveria duke vjedhur zgjedhjet dhe ikën populli në emigracioni?!

Ndaj rrugëtimi ynë është europian, duke zgjidhur duart e drejtësisë dhe duke çuar para saj ata që kanë vjedhur zgjedhjet”, tha Basha.