Politika Basha kërkon transparencë: Nisni menjëherë punën e mos abuzoni

Basha kërkon transparencë: Nisni menjëherë punën e mos abuzoni

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i konsideroi të mirëpritura dhe të bekuara donacionet ndërkombëtare të konfirmuara në konferencën ndërkombëtare këtë të hënë ku u mblodhën rreth 1.15 miliardë euro.

Në një reagim për mediat, selia blu falenderon vendet dhe organizatat që iu gjenden pranë popullit shqiptarë në këtë tragjedi.

“Të gjitha donacionet ndërkombëtare për popullin shqiptar për dëmet e pas tërmetit të 26 nëntorit janë të bekuara dhe të mirëpritura. Falenderime dhe mirënjohje për çdo vend, çdo organizatë dhe çdo institucion ndërkombëtar që i gjendet pranë qytetarëve shqiptarë në këtë moment të vështirë”.

Megjithatë PD  bën apel për transparence me përdorimin e këtyre fondeve dhe përgjegjshmëri që ndihmat të mos keqpërdoren por të shërbejnë për njerëzit në nevojë.

“Detyra jonë është të bëjmë gjithçka që këto kontribute të shërbejnë vërtet për ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Është e rëndësishme që të nisë menjëherë puna dhe fondet të përdoren me përgjegjshmëri dhe transparencë për të ndalur keqpërdorimin dhe abuzimin me to”, thekson Basha.