Opozita Basha kopjon opozitën serbe, protestë në “errësirë” te zyra e Ramës

Basha kopjon opozitën serbe, protestë në “errësirë” te zyra e Ramës

Pasi dëshmoi për një orë në Prokurorinë e Tiranës lidhur me çështjen e lobimit në SHBA, Lulzim Basha mblodhi Kryesinë e PD, ku është diskutuar për më shumë se 40 minuta rreth aksionit të opozitës dhe protestës së 13 prillit.

Basha ka kërkuar nga ish-deputetët dhe drejtuesit e degëve që të jenë më shumë aktivë në protesta në rrethe dhe para Parlamentit sa herë të ketë seanca plenare.

Ndërkohë, lideri i opozitës ka konfirmuar se më 13 prill, tubimi kombëtar do të zhvillohet në mbrëmje, më konkretisht në orën 18:00 para Kryeministrisë, duke kopjuar disi stilin e protestave të opozitës serbe, që del çdo të shtunë në mbrëmje në shesh.

“Të angazhohemi në zona të caktuara. Funksionimi i grupeve të gatshme. Protesta në rrethe, sipas problematikave. Aktivet e çdo dege të mblidhen përgjatë javës. Protesta kur ka parlament”, ka porositur Basha të vetët.

Ndërkohë, kryedemokrati ka refuzuar hapur “ftesën” e Edi Ramës nga Kongresi i PS-së, ku tha se nëse fiton një bashki më shumë se socialistët në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, në vjeshtë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.