Opinione Basha, kryetar real vetëm nëse mbledh kuvendin, hap partinë dhe mund Berishën

Basha, kryetar real vetëm nëse mbledh kuvendin, hap partinë dhe mund Berishën

Nga Leonard Karaj

PD-ja është në udhëkryqin e saj më të madh historik. Lulzim Basha është kryetar i kësaj force politike, por vetëm me vulë në xhep dhe dukshëm pa mbështetjen e plotë të anëtarësisë. Ndërsa Berisha është një lider de fakto, por jo më de jure. Në këtë këndvështrim, kjo parti sot ka arritur kulmin e hipokrizisë, pasi nga njëra anë kemi një kryetar që edhe pse i arsimuar (i vetmi ndër kryetarët e partive aktuale kryesore), në Europë, dhe pas viteve 90-të, vepron si një autokrat, si një totalitarist, i denjë për regjime si ato të diktaturës, dhe nga ana tjetër mbizotëron një lidership historik, i cili ka vërtet peshën e rëndë të bazës së partisë, por që thuajse nuk mban përgjegjësi për asgjë çka ka ndodhur në drejtimin të kësaj force politike.

Është e tmerrshme, kur dëgjon Bashën që artikulon shprehje të tipit: “nuk mbledh kuvendin se (gjoja) është anti-amerikan” (është njëlloj sikur Rama nesër të thotë, nuk dua të bëj më zgjedhje në Shqipëri, 1 herë në 4 vjet), teksa në kahun tjetër, “Foltorja” mundohet të na pasqyrojë një PD tjetër, duke lëshuar aty këtu edhe skizma pendese. Po kujt i intereson sot “mea culpa” e Sali Berishës!? Kush e beson sot ish-kryetarin kur thotë se nuk ka ndikuar apo ndihmuar Lulzim Bashën për të qenë krye i kësaj PD-je?!. Dhe për më tepër, sa e moralshme është kjo lëvizje kur gjithçka nisi vetëm kur u prek interesi personal i Sali Berishës?! Pra, në pak fjalë, si Basha dhe Berisha, sot për sot janë dy njerëzit që me veprimet apo mosveprimet e tyre, për interesa thelbësisht personale, po dëmtojnë më shumë se cilido PD-në.

Duhet të kuptojmë mirë dhe qartë: pjesa më e madhe e atyre që shikojmë sot në takimet e “Foltores” nuk janë domosdoshmërisht mbështetës apo idhtarë të Berishës. Jo. Vetëm një pjesë shumë e vogël mund të besohet se janë “të verbër” aq sa edhe të vdesin për Berishën. Të tjerët janë të zhgënjyerit nga lidershipi i Lulzim Bashës. Asgjë nuk do kidhte ndodhur sot në PD, madje Basha do të adhurohej si një perëndi nga demokratët, nëse kjo forcë politike do kishte fituar zgjedhjet. Asgjë. Madje as Berisha nuk do ishte shpallur “non grata”. Fakti që Basha e çoi për disatën herë këtë parti në disfatë, ka shtuar dozën e zhgënjimit edhe tek militantët më fanatikë, që sot shihen në takimet e Berishës.

Dhe për të zhbërë këtë gjë, Basha duhet që vetë ai të mbledhë kuvendin e PD-së dhe të hapë partinë. Vetëm një lider i këtyre përmasave, që vendos veten në shërbim minimalisht të anëtarësisë dhe nesër edhe të elektoratit, mund të gëzojë privilegjin edhe moralin e drejtimit të një force politike që kërkon të vijë në pushtet.

Basha, nëse mendon se është një lider europian, duhet të sillet si i tillë. Nuk mundet sot që ky njeri që ka marrë disa vendime shumë të rëndësishme kundër politikës amerikane, sot të hiqet si një amerikani më i madh në vend. Është hipokrizi dhe këtë demokratët e kuptojnë fare qartë.

Ndërkohë, për të shuar edhe mitin se Basha ka qenë aty si kryetar vetëm falë mbështetjes së Berishës, do duhet që në Kuvend, jo vetëm të bënte ndryshime statutore demokratike të tipit për shembull, se kush kryetar humb zgjedhjet jep dorëheqje të parevoklueshme, por më së shumti, Basha duhet të kërkojë legjitimitetin moral në PD. Vetëm, tani kur ai ka një përplasje të vërtetë me Berishën (atin e tij shpirtëror), konfirmimi ose jo i tij në krye të kësaj force politike mund të konsiderohet legjitim dhe i besueshëm. Përndryshe Basha mund të mbajë vulën gjithë jetën, por parti që të mund të vijë në pushtet dhe ai të mund të bëhet kryeministër, nuk ka për të pasur kurrë.