Kryesore Basha: Lidhjet me rusët i ka vëllai i Presidentit më të dashur...

Basha: Lidhjet me rusët i ka vëllai i Presidentit më të dashur të Putinit në Ballkan

Nga Kruja, kryetari i PD Lulzim Basha komentoi vendimin e sotëm të Prokurorisë për ta marrë si të pandehur nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Basha tha se akuzat për lobim rus, të cilat sipas tij u montuan nga kryeministri Rama u rrëzuan. Ndërsa pjesa tjetër, u shpreh kreu i opozitës, do të rrëzohen në gjykatë.

“Vetëm për të hequr vëmendjen nga skandalet e dosjes 339 që publikoi gazeta Bild. Vetëm për këtë arsye fabrikoi këtë akuzë. Tha që kishte dokumente për para ruse dhe e vetmja gjë që prodhoi ishte tërheqja me turp nga këto akuza. Nuk prodhoi asnjë dokument për këtë akuzë qesharake dhe të turpshme me të cilën u detyrua të gënjente opinionin  publik për dy vite me radhë. Tha që kishte dokumente hetimi kundër PD dhe i vetmi dokument hetimi është dokumenti i Bilalit.

90% e gënjeshtrës sot është çmontuar para gjithë shqiptarëve. Prokuroria është detyruar të pranojë gënjeshtrat që i fabrikoi për shkak të presionit politik të Edi Ramës. Atë 10% që ka çuar dosjen në gjykate do ta çmontojmë në gjykatë vetëm përmes të vërtetës. Na akuzuan për agjentë rusë, për pastrim parash, na akuzuan për për gjithçka që i duhej. E vetmja gjë që solli deri këtu është qëndresa për të vërtetën”, deklaroi Basha.

I pyetur nga gazetarët se a ka lidhje me Rusinë, Basha u përgjigj: “Lidhjet me rusët i ka vëllai i Presidentit më të dashur të Putinit në Ballkan. Zbërthejeni vetë se besoj i keni informacionet se kush është”.