Politika Basha mbështet protestën e Metës: Nuk e lëmë vendin të kthehet 30...

Basha mbështet protestën e Metës: Nuk e lëmë vendin të kthehet 30 vjet mbrapa

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, me anë të një postimi në “Facebook” mbështet protestën e paralajmëruar nga presidenti Meta. Basha thotë se Shqipëria sot ndodhet në një krizë të thellë kushtetuese, ndaj qytetarët  duhet t’i përgjigjen çdo thirrjeje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura.

“Shqipëria gjendet në një krizë të thellë kushtetuese, krahas krizës ekonomike që të gjithë shqiptarët e përjetojnë përditë. Si qytetarë, nuk mund të mbyllim sytë kur shteti ligjor merret peng, kur institucionet shkatërrohen, dhe demokracia është në rrezik. Kapja e Gjykatës Kushtetuese do të thotë asgjësim i të drejtave dhe lirive të çdo qytetari. Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të kthehet 30 vite prapa. Thirrja e Presidentit nuk është për partitë politike, apo për të djathtët apo të majtët, por për qytetarët shqiptarë që të mbrojnë themelin e demokracisë që është Kushtetuta. Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrjeje në mbrojtje Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën!”, thotë Basha.

Basha sheh si zgjidhje të krizës përfundimin në kohë të reformës zgjedhore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar po punon çdo ditë për këtë dhe me mbështetjen e qytetarëve ndryshimi do të bëhet realitet”, thekson Basha.