Opozita Basha me bizneset në Lezhë: Nuk keni pse ikni ju, por të...

Basha me bizneset në Lezhë: Nuk keni pse ikni ju, por të largojmë këtë qeveri

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në një fasoneri në Lezhë dhe takoi administratoren e këtij biznesi, Brunilda Shytaj. Basha u njoh me situatën e vështirë të këtij biznesi, që për shkak të krizës ka reduktuar numrin e punonjësve, pasi e ka të pamundur të paguajë pagat e tyre.

“COVID-i na ka shkatërruar psikologjikisht, ekonomikisht, gjithsecilin në çdo anë. Punonjëset pa punë, familjare të gjitha. Mbështetje nuk kemi. Kemi ardhur nga emigrimi për një jetë më të mirë, problemi qëndron që duhet të rikthehemi prapë në janar. S’kemi ç’të bëjmë për fat të keq! Këto janë kushtet që ofron vendi ynë për momentin. Ishin 40 në Mars dhe arritëm këtu”, tha administratorja e fasonerisë.

Basha pasi dëgjoi këtë shqetësim nga qytetarja tha se tani ka ardhur momentin që t’i thuhet boll kësaj qeverie e të nisë një rrugë e re.

“Është në dorën tonë. Shumica absolute e shqiptarëve e duan këtë ndryshim. Është në dorën tonë ta bëjmë të mundur. Jam i sigurt, në qoftë se ne nuk krijojmë disa kushte bazë, që ju… s’keni asnjë arsye të largoheni”, shtoi kreu i PD.

Basha iu rikthye edhe njëherë planit të propozuar prej tij, që siç tha do ndihmonte biznesin por që nuk u pranua nga qeveria.

“Ky është plani ynë. T’i japim çdo sipërmarrësi 200 mijë lekë të vjetra për çdo punonjës që rikthen në punë. Për shembull në qofte se ti ke pasur 40 dhe ke hequr gjysmën apo më shumë të marrësh 200 mijë lekë të vjetra për këdo nga ata që do rikthesh në punë për 6 muaj. Pra, kjo është ndihma e parë. Ndihma e dytë që mund t’ju japim është akses në kredi me garanci nga shteti, me një interes jo më të lartë se 2%, ku bie fjala për shpenzime operative apo investime kapitale. Në qoftë se ju duhet për të marrë borxh, për të marrë rrogat e punonjësve, 0%. Të paktën me këto dy hapa ju do ta kishit pak më të thjeshtë, apo jo?”, tha Basha.