Kryesore Basha me skenar rezervë: Të përgatitemi edhe për zgjedhje

Basha me skenar rezervë: Të përgatitemi edhe për zgjedhje

Pavarësisht deklaratave se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, kreu i PD, Lulzim Basha, kërkon që ti ketë të gjithë skenarët gati, duke konsideruar edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Në mbledhjen e zhvilluar në selinë blu, me ish-grupin parlamentar dhe kryesinë e PD, Basha u bëri thirrje që të ketë një organizim sa më të mirë për protesta masive.

Basha u ka kërkuar atyre që të jenë të përgatitur edhe për zgjedhje krahas organizimit të protestave.

Më tej kreu i PD, u ka kërkuar ish-deputetëve që të jenë më aktiv, e të mos rrinë në kafe ditën e protestave, por të dalin në ballë të saj.

“Të jeni më aktiv. Takime me qytetarët në terren për protestat që na presin. Intensifikoni takimet me qytetaret. Protesta çdo të enjte para, angazhim serioz për protestën kombëtare të 13 prillit. Nuk keni qene prezent sa duhet. Duhet të jeni më aktiv. Nuk duhet të rrini në kafe me njëri-tjetrin, por në ballë të protestës”, është shprehur Basha.