Kryesore Basha me zv.presidentin e KE: Brenda 100 ditëve nisim negociatat e anëtarësimit...

Basha me zv.presidentin e KE: Brenda 100 ditëve nisim negociatat e anëtarësimit në BE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bisedë online me zv.presidentin e Komisionit Europian, njëkohësisht Komisioner për Mënyrën Europiane të jetesës, z. Margaritis Schinas. Në fokus të bisedës ishin pikëpamjet mbi të ardhmen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe përpjekjet që duhet të bëjë vendi ynë për t’u anëtarësuar në BE.

Lideri i opozitës Basha ka theksuar se pa integrimin europian të Shqipërisë nuk do të jemi në gjendje të sigurojmë standardet e jetesës, ndërsa vlerësoi arritjet kryesore për Shqipërinë. Ai shprehu bindur se do ta realizojnë anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian.

“Brenda 100 ditëve të para të qeverisë sime ta bëjmë të mundur hapjen e negociatave”.

Komisioneri Schinas vlerësoi si krejtësisht të mundur hapjen e negociatave pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe e nxiti kreun demokrat që të çojë përpara mesazhin e ringjalljes ekonomike.

“Ju personalisht si ish-ministër i Brendshëm, keni shumë arsye për t’u krenuar me atë që është bërë tashmë dhe natyrisht ky liberalizim i vizave nuk është një gjë e lehtë dhe nuk ishte e sigurt. Ju e dini sa komplekse ishte dhe këshilla ime është të mos tregoheni shumë modestë në lidhje me të. Kjo është diçka që ju, si udhëheqës dhe si individ, duhet ta tregoni më shumë, si diçka në politikë që ka ndryshuar gjërat për mirë”.

Nga ana e tij, kryetari Basha nënvizoi angazhimin e tij për të kthyer normalitetin në kulturën politike shqiptare.

“Këto zgjedhje kanë të bëjnë më njerëzit, të ardhmen e tyre. Prandaj është e domosdoshme që të shkojmë te njerëzit me propozime realiste”, tha Basha.