Politika Basha, mea culpa në emër të PD-së

Basha, mea culpa në emër të PD-së

Partia Demokratike organizoi një tryezë për lirinë e medias këtë të hënë, për të kundërshtuar sipas saj ligjet e censurës të propozuar nga qeveria.

Në një mbledhje ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të medias, Basha bëri mea culpa në emër të Partisë Demokratike.

Kreu i selisë blu bëri tre zotime. E para për anulimin e paketës anti-shpifje dhe akteve të tjera ekzistuese që cënojnë standardet europiane të shprehjes së lirë; së dyti hartimi i një kuadri rregullator që do hyjë në fuqi sapo PD të vijë në pushtet dhe së treti do t’i jepet fund praktikave për dobësimin dhe korruptimin e medias.

“Prej kohësh është kërkuar një mea culpa dhe kur mea culpa është bërë nuk është dëgjuar. Mea culpa e PD-së për gjithçka në këto 30 vite nuk është thjeshtë një deklaratë e imja si kryetar i PD-së për gjithçka në këto vite. Mea culpa më e fuqishme është ajo që ju kërkoni me të drejtë dhe jam i gatshëm ta bëj në emër të PD-së, në emër të opozitës së bashkuar. Jam i gatshëm ta bëj një zotim solemn për anulimin e këtij akti apo akti tjetër ekzistues apo potencialisht sa kohë që kjo parti është në pushtet që cenon standardet europiane të shprehjes së lirë. Së dyti kërkesën për të hartuar se bashku një kuadër rregullator legjislativ dhe vetërrugullues qe do te hyje ne fuqi në javën e parë të qeverisjes nga opozita e bashkuar. Së treti zotimi im personal për t’i dhënë fund çdo praktike që ka për qëllim dobësimin apo korruptimin e rolit të medias në transmetimin e mesazhit me kaseta, bllokim të gazetarëve, listat e zeza, e cila tek ne nuk ekziston. Këto tre përkushtime i marr sot para jush”, tha Basha, i cili shtoi se që nga dita e mërkurë, 25 shoqatat e medias mirëpriten për çdo formë konsultimi me ekspertët e opozitës.