Politika Basha në Berlin: Do e kthej Shqipërinë në qendër të investimeve gjermane

Basha në Berlin: Do e kthej Shqipërinë në qendër të investimeve gjermane

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka vijuar me takimet në Gjermani. Përmes një postimi në rrjetet sociale, lideri demokrat njofton se ka prezantuar planin ekonomik të PD-së nëse do të vijë në pushtet me theks kryesor investimet e huaja.

“Dialogu i Nivelit të Lartë që po zhvillon punimet ne Berlin organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik Gjerman ishte një mundësi e rrallë për të bashkëbiseduar me një nga personalitetet më autoritative për industrinë dhe biznesin gjerman, Presidentin e Këshillit Ekonomik Gjerman, Prof. Dr. Kurt J. LAUK dhe me drejtuesit më të lartë të kompanive dhe bankave të rëndësishme gjermane si SIEMENS, ING, BMË dhe korporata të tjera.

Pata mundësinë të njoh sipërmarrës dhe liderë të ekonomisë dhe financave të Gjermanisë me planin ekonomik të Partisë Demokratike hartuar me ndihmën e ekspertëve të CDU-së, në veçanti me masat për përmirësimin e klimës për investime të huaja, funksionimin e shtetit ligjor, sigurinë juridike, taksën e sheshtë dhe luftën kundër korrupsionit.

Thithja e investimeve gjermane dhe bashkëpunimi për trajnimin e të rinjve për ti përgatitur për tregun e punës në Shqipëri, Gjermania e vende të tjera të Bashkimit Europian janë objektivi ynë prioritar. Sot biznesi shqiptar dhe investitorët e huaj kanë nevojë për shtet ligjor, sisteme funksionale, konkurrencë të ndershme dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit. Unë dhe Partia Demokratike nuk do të ndalemi derisa ti bëjmë realitet këto.

Arsimi, shëndetësia, bujqësia, turizmi dhe teknologjia e informacionit janë ndër prioritetet kryesore të cilat kërkojnë vizion dhe mbështetje financiare për ti nxjerrë nga gjendja e mjeruar ku ndodhen sot. Ne do të bëjmë gjithçka në këtë drejtim, duke bashkëpunuar dhe u mbështetur tek përvoja shumë e suksesshme e Gjermanisë. Në veçanti u ndala dhe tek projektet infrastrukturore, rrugore dhe portuale të parashikuara në planin tonë dhe që synojnë shkurtimin e distancave dhe rritje të shkëmbimeve tregtare mes vendeve të rajonit dhe me ato të Bashkimit Europian.

Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të rifitojë kohën e humbur e të kthehet në qendër të investimeve rajonale të kompanive prestigjioze gjermane dhe jo vetëm, çka do të sjellë punësim dhe zhvillim ekonomik për qytetarët tanë”, sqaron Basha në Facebook.