Kryesore Basha, në ditëlindjen e 29 të PD-së: Jemi partia e shpresës

Basha, në ditëlindjen e 29 të PD-së: Jemi partia e shpresës

Lulzim Basha, me anë të një mesazhi për ditën e themelimit të Partisë Demokratike, nënvizoi se kjo parti është “partia e shpresës”.

“Liri, demokraci! 29 vjet më parë këto 2 fjalë ishin oksigjeni që rikthyen në jetë një komb, i cili ra në errësirën e diktaturës më të egër komuniste për gati 5 dekada. “Liri, Demokraci” është guri i themelit që ngriti në këmbë shtëpinë e demokratëve, shtëpinë e shqiptarëve që e donin Shqipërinë si gjithë Europa. Për 29 vite, Partia Demokratike ia ka dalë të jetë partia e shpresës. Kjo është arritja jonë më e madhe në këto 29 vjet. Sot shqiptarët i kanë sytë nga ne për të finalizuar misionin për të cilin u themelua Partia Demokratike si garante e lirisë, e demokracisë dhe e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”, shkruan Basha në rrjetet sociale.

Më tej, kreu i PD-së shton se “shqiptarët meritojnë të votojnë të lirë për qeverisjen e tyre, ata meritojnë një qeveri që punon për mirëqenien e tyre, që respekton fjalën e lirë dhe të drejtën e pronës, një qeveri që bën më të mirën për të siguruar të ardhmen e qytetarëve të saj”.

“Fëmijët tanë meritojnë të rriten si shqiptarë europianë në Shqipërinë tonë të bukur, Shqipërinë si gjithë Europa! Dhe së bashku do ta bëjmë realitet! Gëzuar 29 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike”, përfundon Basha.