Politika Basha në Manzë: Banorët jetojnë në kushte mizerabël, kriminale të bësh dallime...

Basha në Manzë: Banorët jetojnë në kushte mizerabël, kriminale të bësh dallime të tilla

Kreu i PD, Lulzim Basha ka vizituar sot banorët e Manzës të cilët janë strehuar në çadra, pas dëmeve të shumta që banesat e tyre kanë marrë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Pasi ka parë nga afër gjendjen, Basha shprehet se këta banorë janë duke jetuar në kushte mizerabël dhe se këto çadra nuk pengojnë as shiun e as të ftohtin dhe se janë të mbytura në baltë.

Sipas kreut të selisë blu, banorët ndihen të fyer dhe të diskriminuar, pasi “sipas tyre disa familje janë strehuar në kontenierë, ndërsa të tjerë me fëmijë disa muajsh dhe të sëmurë janë lënë në çadra, ku shiu dhe balta ka përmbytur dhe ato pak gjëra që kanë”.

Ai thekson se zgjidhja është vlerësimi i shpejtë dhe real i dëmit të shkaktuar dhe lëvrimi i parave tek qytetarët për rikonstruksion apo rindërtimin e shtëpive.

“Dështimi për të vepruar nga ana e shtetit po shton dhimbjet dhe vuajtjet. Duhet menjëherë të përcaktohen fondet dhe të nisë financimi i nevojave të mijëra familjeve të mbërthyera në këtë emergjencë që sa më shumë zgjatet aq më shumë thellohet”, tha Basha.