Politika Basha: Nevojë emergjente rritja e numrit të vlerësuesve në terren

Basha: Nevojë emergjente rritja e numrit të vlerësuesve në terren

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka vizituar disa nga banorët e prekur nga tërmeti në fshatrat Gjuricaj, Kërtushë dhe Armath, të Ishmit.

Sipas PD-së, banorët janë ankuar se situata është emergjente, 90 përqind e shtëpive në Gjuricaj janë dëmtuar rëndë, shumica jashtë përdorimit. “Banorët thonë se megjithë thirrjet e përsëritura nuk është marrë asnjë masë. E njëjta situatë në Kërtushë dhe Armath. Njerëzit ankohen gjithashtu për mungesë ndihmash dhe shpërndarje selektive”.

Lulzim Basha është shprehur se është emergjente rritja e numrit të vlerësuesve në terren në mënyrë që vlerësimi i objekteve të shtrihet në të gjithë zonat e goditura dhe të përfundojë sa më shpejt.

“Kjo do të mundësonte vlerësimin e dëmit dhe nisjen e rikonstrusionit të objekteve të riparueshme dhe  do tu jepte mundësi  qytetareve, banesat e  të cilëve  janë të pabanueshme të organizonin jetën e tyre deri në rindërtimin e shtëpive.

Për këtë arsye duhet urgjentisht;

1- Mobilizimi i të gjitha kapaciteteve njerëzore. Janë rreth 500 inxhinierë që kanë shprehur gatishmërinë të kontribuojnë vullnetarisht. Është detyrë e shtetit ti organizojë dhe ti vërë në punë për vlerësimin e dëmeve!

2- Sa më parë të bëhet vlerësimi  i objekteve të dëmtuara, aq më shpejt qytetarët do të kenë mundësi të sigurohen dhe të adresojnë nevojat e tyre të menjëhershme dhe afatgjata.

3- Alokimi i fondeve të buxhetit për ti përdorur  në  funksion të qytetarëve të dëmtuar është hapi i tretë i domosdoshëm. Kjo duhet të nisë me anulimin e menjëhershëm të 150 milion dollarëve të planifikuar për dhjetë oligarkë dhe alokimi i tyre për familjet në emergjencë. Gjithçka duhet të jetë në funksion të tejkalimit të emergjencës dhe kthimit të në normalitet”, ka thënë Basha.