Politika Basha nga Kruja: Pa larguar Ramën nuk hapen dyert e Europës

Basha nga Kruja: Pa larguar Ramën nuk hapen dyert e Europës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e vijoi fushatën elektorale ditën e shtunë në qytetin e Krujës, ku u prit nga mbështetësit e tij.

Pasi bëri një rezyme të 8 viteve të qeverisjes së socialistëve, kryedemokrati iu bëri thirrje krutanëve që më 25 prill të votojnë për Partinë Demokratike për të hapur dhe dyert e Europës, të cilat sipas tij, nuk hapen pa u larguar Edi Rama.

“Ai e di se shqiptarët e kanë ndarë mendjen, se pa e larguar atë, nuk hapen dyert e Europës, nuk hapen dyert e mirëqenies, nuk ka ndryshim pa e larguar Edi Ramën! Shqipëria ka nevojë për ndryshim! Shqipëria thërret për ndryshim! Ndaj, ai që për 8 vite me radhë s’ka bërë asgjë  për premtimet, s’ka mbajtur asnjë fjalën të vetme, vjen vërdallë në dyert e shqiptarëve, kërkon t’ia hapin për herë të tretë. Mos ja hapni derën dështimit për herë të tretë, për hir të familjeve tuaja, për hir të fëmijëve tuaj, nënave shqiptare, pavarësisht prej bindjeve politike.

Nëna dhe baballarë, mos ja hapni dyert dështimit, ka guximin të shkojë pas 8 vitesh premtimesh të pambajtura, 8 vitesh dështimesh qytet më qytet, prapë me projekte 3D, për t’i ngopur shqiptarët me lugën bosh të mashtrimeve dhe premtimeve të pambajtura. Ka guximin ta thotë në dyert e shqiptarëve pas 8 vitesh pushtet, 8 vitesh qeverisje, ku nuk bëri asgjë për ta. Por shqiptarët do ta marrin vendimin më 25 prill”, u shpreh Basha.