Kryesore Basha: Nuk do ketë pazar dhe qeveri PD-PS

Basha: Nuk do ketë pazar dhe qeveri PD-PS

Nga Elbasani në një takim që pati pasditen e sotme, kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se, betejës së shqiptarëve për liri dhe demokraci, sa vjen dhe i shtohen radhët si dhe deklaroi prerazi se nuk ka zgjidhje politike pa largimin e Edi Ramës.

“Ne e dimë se nuk mund të ketë as zgjedhje të lira dhe as çlirim, pa shporrjen e bandës kriminale që sundon dhe pa larguar përfituesin dhe arkitektin e aleancës me krimin. Po bëhet gati të nxjerrë prapë kamxhikun e diktaturës për ti ulur kokën shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Ai tha se të dielën do të bashkohen të gjithë qytetarët në protestë në Tiranë, me një mesazh dhe vendosmëri.

Sipas tij, me qindra miliona euro që iu grabiten shqiptarëve ushqehet Edi Rama dhe një grusht hajdutësh, të cilët vjedhjen e bënë me kontrata sekrete dhe se sipas të dhënave zyrtare të shtetit shqiptar ka vjedhur në katër vitet e fundit 4.6 miliardë euro.

Kreu i PD, deklaroi se këto para nuk iu kthehen kurrë njerëzve, duke nënvizuar se rruga e Elbasanit nuk ka mbaruar ende dhe se nuk ka ecur asnjë metër dhe se paratë banda i ka për vete dhe për luksin e vetë.

Basha tha se beteja e nisur do të përfundojë vetëm me shporrjen e qeverisë së krimit dhe triumfin e vlerave europiane dhe se largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm.

“Gjithë bota mbarë i thotë mos u ngjit pas karriges, hapi rrugë zgjidhjes politike. Largohu! Tani të gjithë e dinë se beteja jonë është e vetmja betejë për vlerat e integrimit dhe se nuk ka zgjedhje të lira pa rend kushtetues dhe pa çuar para drejtësisë politikanët e kapur duke vjedhur votat”, u shpreh Basha.

Ai tha se nuk do të njihet asnjë akt i “parlamentit ilegjitim”, duke nënvizuar se një orë e re po troket për Shqipërinë dhe se nuk do të ketë pazar me të keqen, por se beteja do të shkojë deri në fund dhe deri në fitore.

Sipas tij “minjtë” po flasin për qeveri të përbashkët “Rama-Basha”, por tha se beteja nuk u nis për pushtet në tavolinë dhe se mandatet e deputetit u dorëzuan në nisje të betejës.

“Zotimi im si kryetar i Partisë Demokratike, si kryetar i opozitës së bashkuar,para jush dhe përmes jush, para çdo shqiptari të ndershëm, është se nuk do të ketë pazar me të keqen, se beteja për Shqipërinë si e gjithë Evropa do të shkojë deri në fund, deri në fitore. Me siguri i keni dëgjuar thashethemet që përhapin. Minjtë e ndjejnë frikën, e ndjejnë ankthin. Kanë filluar të përhapin versionet e daljes nga kriza: qeveri e përbashkët Basha-Rama!. Se në këtë betejë nuk jemi për të marrë pushtet në tavolinë, sepse pushteti në tavolinë, është pushteti I krimit, është pushteti I oligarkisë. Nuk është kurrë pushteti i qytetarëve, është plaçkitja e qytetarëve. Ndaj le ta them qartë dhe prerë: Pazar në kurriz të qytetarëve, kurrë, kurrë, kurrë. Asnjëherë”, – përfundoi Basha.