Politika Basha nuk i ndahet SPAK-ut për inceneratorët: Pse nuk po bën detyrën?

Basha nuk i ndahet SPAK-ut për inceneratorët: Pse nuk po bën detyrën?

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se pavarësisht denoncimeve të opozitës për atë që ai e quan aferën e inceneratorëve, qeveria nuk është ndalur. “Ndërkohë që depozitohej padia në SPAK i ka paguar 330 milionë lekë të vjetra inceneratorit të Elbasanit. Rama nuk lodhet së vjedhuri, nuk lodhet së gënjyeri, nuk lodhet së premtuari dhe pastaj i harron premtimet. Ta harrojë ai dhe SPAK, se unë do të lodhem, deri në ditën e fundit të Edi Ramës në pushtet dhe të kërkoj që SPAK të bëjë detyrën. Kaq kërkon opozita. Këtë e kërkojnë edhe qytetarët. Është detyrimi juaj, zoti Kraja. Jeni të mirëmbrojtur nga mafia, keni përkrahje ndërkombëtare, paguheni më mirë se çdo magjistrat tjetër. Të gjitha këto masa janë vënë që të realizoni synimin numër 1, jo t’i mbroni, por t’i ndëshkoni krimin e organizuar dhe politikanët e lidhur me ta”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se edhe në buxhetin e ri, qeveria ka parashikuar 120 milionë euro për koncesione. Ai citoi disa të dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku sipas tij, thuhet se Shqipëria ka investuar vetëm 0.86% të GDP për të përballuar pandeminë. “FMN, Shqipëria e fundit në Europë për mbështetjen financiare për krizën shëndetësore e ekonomike. Edi Rama dhe qeveria e tij nuk i përgjigjen njerëzve dhe halleve te tyre pas pandemisë”, shtoi Basha