Politika Basha: Nuk ka për të pasur zgjedhje pa opozitën!

Basha: Nuk ka për të pasur zgjedhje pa opozitën!

Partia Demokratike nuk ka ende një qëndrim zyrtar nëse do të marrë pjesë apo jo në zgjedhjet lokale, por nga Fieri, Lulzim Basha garantoi se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën.

“Edi Rama dhe banda e tij e dinë fare mirë se zgjedhje palo-zgjedhje, zgjedhje fallco pa opozitën, nuk ka për të pasur. Kauza e çlirimit të Shqipërisë nga banda e Edi Ramës është përqafuar nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, që i janë bashkuar thirrjes, kushtrimit dhe emergjencës kombëtare “Rama ik”, tha Basha.

Për kryedemokratin, stabiliteti i vendit është kërcënuar nga krimi i organizuar, sipas tij, në bashkëpunim më pushtetin, ndaj ai kërkoi ndihmën edhe të fierakëve për rivendosjen e demokracisë së vërtetë: “Prandaj beteja jonë është e vetmja betejë për stabilitet të vërtetë dhe është një leksion për popujt e tjerë të Ballkanit, se ky vend edhe një herë, do t’i prijë integrimit evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor, duke pranuar, imponuar dhe zbatuar asgjë më pak se standartet evropiane për qytetarët tanë dhe vendin tonë”.