Politika Basha, pas mbledhjes me aleatët: Nisim protestat mbarëpopullore

Basha, pas mbledhjes me aleatët: Nisim protestat mbarëpopullore

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se opozita do të udhëheqë revoltën qytetare duke paralajmëruar nisjen e protestave mbarëpopullore.

“Gjatë kësaj kohe opozitës i është kërkuar të jetë në parlament. Sot e gjithë bota e pa se si Edi Rama i hoqi opozitës të drejtën elementare kushtetuese për të folur. Vendi po rrëshqet drejt diktuaturës. Rama ka një parlament privat për t shkatërruar interesat kombëtare ka një qeveri provate për të vjedhur qytetarët. Opozita është e vendosur ti japë fund krizës politike e ekonomike në vend. Ne vendosëm të udhëheqim revoltën qytetare deri në protesta mbarëpopullore”, deklaroi Basha.

Kreu i PD tha se ky është vendimi i opozitës. “Ditën e shtunë PD do të mbledh Këshillin Kombëtar për të përcaktuar ditën e nisjes së protestës popullore. Përfaqësuesit parlamentar do të mbledhin forumet e tyre dhe do të vendosin. Ne do të bëjmë gjithçka për të bërë të mundur largimin e Edi Ramës nga pushteti”, theksoi Basha.

Pasi braktisi seancën e jashtëzakonshme plenare, ku u miratuan dekretet për shkarkimin e 6 ministrave dhe emërimin e 7 ministra dhe zëvendëskryeministrit Erion Braçe, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka mbledhur aleatët.

Ditën e sotme kryetarët e grupeve parlamentare të PD dhe LSI kërkuan që të merrnin fjalën për debat, kërkesë që u hodh poshtë nga kryetari i Kuvendit.