Politika Basha për piknik në Elbasan: Kampus modern për studentët

Basha për piknik në Elbasan: Kampus modern për studentët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhej ditën e sotme në qytetin e Elbasanit, në një piknikun e organizuar nga të rinjtë e këtij qyteti. Basha tha se 25 Prilli është ndryshimi i madh për çdo të ri elbasanas me hapjen dhe sigurimin e vendeve të punës. Ai gjithashtu u zotua se Elbasani do ketë një kampus të ri dhe modern universitar. Në piknikun e organizuar nga opozita, siç duket edhe nga pamjet, rregullat e pandemisë nuk janë zbatuar.

“25 është dita e fitores, është dita e ndryshimit për të gjithë shqiptarët e në veçanti për rininë e Elbasanit e të Shqipërisë. Pas kësaj na presin punë të mëdha.

Për gjithë studentët e kam një zotim dhe dua ta përsëris: Ekziston një koncept, një ide që këtë park të bukur këtu, sigurisht jo gjithë parkun, por një pjesë të parkut ta përdorim për të ndërtuar këtu një nga kampuset më moderne universitare të Shqipërisë. Mbani mend para disa ditësh pata një konferencë me aleancën e universiteteve europiane dhe me komisioneren europiane për digjitalizimin. E mbani mend?  Ajo që e bëri të paharrueshme ishte dhe reagimI I kryeministrit në ikje që u tërbua, tha se kjo është ndërhyrje në punët e brendshme. “Është ndërhyrje në fushatë, tha. Jo nuk është ndërhyrje në fushatë por është shprehje e besimit që kanë evropianët tek rinia shqiptare dhe tek Partia Demokratike dhe tek planet tona që së bashku me ta ti japim të rinjve dhe të rejave shqiptare të njëjtat mundësi të njëjtat mekanizma si rinisë Europiane. Dhe ju e dini Europa ka ndarë shuma të mëdha parash për universitetet e Ballkanit, është një mëkat i vërtetë që Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë nga këto fonde, jo për faj të universiteteve por për faj të qeverisë. Dhe ju e dini unë kam studiuar jashtë dhe ja dedikoj një pjesë të madhe të suksesit tim në jetë faktit që më është dhënë kjo mundësi për të studiuar jashtë në një kohë ku kjo mundësi u ofrohej shumë pak njerëzve. Sot  duhet t’ju them diçka tjetër, me teknologjinë që ka avancuar, me këtë vëmendje të veçantë që ka Europa për të trajnuar të rinjtë shqiptarë me mënyrën se si i njoh mekanizmat që funksionojnë për të sjellë qoftë trajnimin qoftë trajnuesit, apo për t’ju nxjerrë ju nëpër program ne Exchange që i thonë, pra programe shkëmbimi nëpër universitetet europiane. Unë ju siguroj që shumë shpejt rinia e Elbasanit dhe rinia e gjithë Shqipërisë do të ketë të njëjtën përgatitje profesionale si rinia europiane dhe do të jetë e gatshme për tregun e punës. Se unë e di që problemi kryesor që keni dhe brenga më e madhe që ju dhe familjet tuaja keni është siguria për të nesërmen e në veçanti punësimi. Po ju them që gjërat mund të ndryshojnë dhe me votën tuaj, me energjinë tuaj ju jap garancinë time personale se do të ndryshojmë, se ju do të keni të gjitha mundësitë, jo vetëm të trajnoheni në fushat që dëshironi por edhe të punësoheni në një ekonomi e cila do të zgjohet nga letargjia 8 vjeçare”, tha Basha.

Në fund Basha ka shkëmbyer disa batuta me të rinjtë, ku nuk ka lënë pa ngacmuar edhe kundërshtarët politik.

“Ndaj pa e zgjatur shumë se kemi ardhur për piknik jo për miting dhe si duket më presin dhe detyra të veçanta siç është skuqja e salsiçeve në zgarë. Jo s’qenkam aq dobët se s’kam qenë duke skuqur salsiçe atë natë. Meqë do ta dish kam qenë duke skuqur mëlçi pule”, tha Basha.