Kryesore Basha: Përse ndërhyra në “Opinion” për të debatuar me Ramën

Basha: Përse ndërhyra në “Opinion” për të debatuar me Ramën

Në debatin e së enjtes në emisionin “Opinion” ku ishte i ftuar kryeministri Edi Rama, në një lidhje telefonike ndërhyri kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Kryedemokrati ndërhyri në linjë në momentin që diskutohej për çështjen e inceneratorëve. Por, Lulzim Basha ka sqaruar sonte në emisionin “Zonë e Lirë”, përse zgjodhi të ndërhynte në lidhje telefonike për t’u përballur me Ramën.

“Për një gjë të thjeshtë. Kur ke faktet me vete, kur të drejtën me vete, pak rëndësi ka je në telefon apo je aty. Gjëja tjetër që doli dje është që kishim të bënim me një hajdut, dje morëm vesh që kemi të bëjmë me një frikacak sepse nuk pranon debatin”, theksoi kryedemokrati Lulzim Basha.

Nga ana tjetër, sa i përket intervistës së Edi Ramës në Opinion, Lulzim Basha e vlerëson në këtë mënyrë: “Në 30 vite nuk kemi parë një Kryeministër në siklet të tillë”.

“Do t’i prishim kontratat për inceneratorët përmes ligjit Antimafia”

Lulzim Basha thotë se kontratat koncesionare për inceneratorët do t’i anulojë kur Partia Demokratike të vijë në pushtet.

I ftuar në emisionin Zonë e Lirë në Tv Klan, kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se prishja e kontratës koncesionare do të bëhet përmes ligjit Antimafia.

“Ka një parim ligji Antimafia, që quhet ndiq paranë. Këtë parim do ta zbatojmë për çdo kontratë koncesionare që është në mënyrë korruptive, siç është dhënë kjo. Nuk ka gjykatë në botë që ta rrëzojë këtë, përndryshe shkon ajo gjykatë për ndjekje penale me mua Kryeministër. Një kompani me 1 mijë Euro që bëhet një ditë para se të marri kontratën me një person që nuk dihet ku u ka këmbët dhe nuk bërë as 12% investime, nuk ka prokuror mos ta çojë para drejtësisë, nuk ka gjykatë mos ta dënojë. Këtu është vullneti politik”, theksoi Lulzim Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike e akuzon Kryeministrin Edi Rama për vjedhjen e parave përmes 3 inceneratorëve, të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.