Opozita Basha pranon “mëkatet”: Korrupsioni në arsim, edhe në kohën e PD-së

Basha pranon “mëkatet”: Korrupsioni në arsim, edhe në kohën e PD-së

Kreu demokrat Basha bëri një “mea culpa” në Vlorë gjatë një takimi me pedeagogë e studentë të Universitetit “Ismail Qemali”, duke pranuar korrupsionin në arsim gjatë qeverisjes së PD ku ai qe ministër në katër dikastere.

“Në këtë krizë kemi edhe ne mëkatet tona, sepse në disa raste kemi bërë emërime që nuk kanë pasur lidhje me detyrën që merrnin, apo raste kur janë marrë 3-5 mijë euro për emërime mësues. Këto s’do përsëriten kurrë”, tha Basha.

Por ndërkohë, ai sulmoi Ligjin e Arsimit të Lartë të qeverisë Rama, duke thënë se prej tij ditë të zeza priten.

“Jemi në kontakt me çështjet e arsimit, sepse protesta e studentëve ishte shtysa për të zbardhur problemet e rënda të arsimit. Arsimi do të jetë në një ditë më të zezë nëse vazhdohet me këtë ligj të Arsimit të Lartë, që i vuri kazmën universiteteve publike. Demokratizimi i vendimmarrjes është normë evropiane, është garanci, siç është garanci për shtetin është garanci edhe për universitetin”, theksoi kreu demokrat.