Politika Basha propozon ndryshime në PD

Basha propozon ndryshime në PD

Pak ditë para mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka depozituar disa amendime në statutin e demokratëve. Propozimet e reja lidhen me zgjerimin e kryesisë, atë të sekretariateve, shtimin e strukturës së përhershme të Këshillit Koordinues të qarkut, shtimin e anëtarëve të zgjedhur të këshillit kombëtar, por në asnjë rresht të draftit nuk flitet për kufizimin e mandatit të kryetarit të partisë, në rastet kur ai humbet zgjedhjet.

Në kryesinë e PD-së, Lulzim Basha krahas Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve e sekretarëve funksionalë ka shtuar edhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar, që do të zgjidhet mes dy kandidaturave. Pjesë e Kryesisë, Basha propozon që të jetë edhe Kryetari i Komisionit Zgjedhor dhe komisionit të Apelimit, Integrimit e Etikës, dy organe këto të shkrira në një të vetëm.

Nëse do të nisemi nga emrat, sipas këtij propozimi në kryesi do të jenë kreu aktual i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani dhe Jemin Gjana.

Por Basha ka vendosur që të udhëheqë Partinë Demokratike me një ekip të ri në këtë mandat të tretë dhe përzgjedhja e tij do të nisë menjëherë pas zgjedhjes nga Kuvendi i Këshillit të ri Kombëtar, organ që do të zgjedhë më pas edhe kryesinë e re, nënkryetarët dhe sekretariatet.

Basha propozon që numri i sekretarëve të mos jetë i limituar, por të jetë në dorën të kryetarit që të caktojë sa sekretarë i duhen, rregull që e ka parë të udhës ta shtrijë edhe për degët e partisë.

Ndër pikat e propozuara është edhe zgjerimi i demokracisë së brendshme në parti, ku kryetarit të partisë i ngushtohet kompetenca, lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish.

Në ndryshimet e propozuar në sy bie edhe fakti që të drejtën për koalicione e marrëveshje, Lulzim Basha ia heq kryesisë dhe ia lë vetëm Këshillit Kombëtar.

Pak ditë më parë edhe anëtari i kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, propozoi ndryshime statutore, mes te cilave edhe kufizim të mandatit të kryetarit të PD në katër vite në rast humbje në zgjedhje.