Kryesore Basha propozon reformë radikale të sistemit zgjedhor: Parlament me dy dhoma si...

Basha propozon reformë radikale të sistemit zgjedhor: Parlament me dy dhoma si në SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulim Basha, ka prezantuar disa propozime për platformën e reformimit të sistemit zgjedhor. Gjatë një takimi me të rinj dhe intelektualë, kreu i PD tha se këto ndryshime janë thelbësore për shkak se në zgjedhjet në Shqipëri janë prishur. “Vota jonë nuk ka vlerë për shkak të paracaktimit të rezultatit. Është koha të ndryshojmë rregullat”, u shpreh ai.

Mes propozimeve bie në sy ai për qeverinë kalimtare, një ide e artikuluar prej kohësh nga ana e opozitës. “Sistemi zgjedhor të garantojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve, në mënyrë që pushteti të mos përqendrohet në një dorë. Reforma zgjedhore është hapi i parë për t’i dhënë fund korrupsionit, për një ekonomi më të fortë dhe anëtarësim në BE”, u shpreh Basha.

Basha propozoi ngritjen e një Senati për llogaridhënien e qeverisë duke kërkuar që 40 anëtarët e Senatit të zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit.

“Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat”, u shpreh ai.

Basha solli shembujt e vendeve më të zhvilluara me Senat: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia vende me parlament me dy dhoma.

Lista me propozimet

1 – Kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur.

2 – Tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg.

3 – Financimi i partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë, përjashtohet nga marrja e tenderëve publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë.

4 – Identifikim, votim dhe numërim elektronik. Do t’i bëjë zgjedhjet më të ndershme dhe rezultatin më të shpejtë.

5 – Sistemi. Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë.

6 – Ngritja e një Senati për llogaridhënien e qeverisë. 40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit. Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive.

7 – Derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE, 100 ditë para zgjedhjeve shqiptarët të kenë një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, për të garantuar zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë.