Politika Basha-Ramës: Shqipëria nuk do digjet dhe opozita nuk trembet

Basha-Ramës: Shqipëria nuk do digjet dhe opozita nuk trembet

Kryeministri Edi Rama, riktheksoi sot nga Maliqi se opozita kërkon djegien e Shqipërisë dhe sigurisht që kreu i PD-së Lulzim Basha nuk mund të mos reagonte.

Në një postim në facebook, Basha thekson se ka një lajm të keq për kryeministrin, duke nënvizuar se Shqipëria nuk do të digjet dhe as opozita nuk do të trembet.

Kreu demokrat thotë se fundit i tij dhe i veglave të tij në qeveri dhe Parlament, është i pashmangshëm.

Postimi i plotë

Edi Rama ka javë që bredh nëpër Shqipëri duke ngjallur panik e duke kërcënuar sa me djegie të vendit dhe sa me burgosje të të gjithë opozitës. Kam një lajm të keq për të: Shqipëria nuk do digjet dhe opozita nuk trembet.

Këto muaj e fundit Rama ka ndaluar dhe arrestuar qindra qytetarë dhe opozitarë, së fundi drejtuesit e PD së Elbasanit, Librazhdit dhe Prrenjasit, dhe të gjithë e kanë parë se askush nuk trembet nga kërcënimet dhe veprimet e tij perverse.

Këtë shqiptarët po ja provojnë atij përditë kudo nëpër Shqipëri, të cilën ai tani e viziton nën mbrojtjen e qindra forcave policore, sikur të jetë duke ecur përmes një territori armik dhe jo vendit të tij.

Fundi i tij dhe i veglave të tij qorre në kuvend, qeveri, polici, prokurori është i pashmangshëm!

Ai e di këtë, prandaj është shpërfytyruar dhe po bën atë që bëjnë kriminelët kur rrethohen: po kërcënon se do të shpërthejë bombën e do t’i hedhë të gjithë në erë.

Dua t’u them të gjithë bashkëqytetarëve të mi se duhet të jenë të sigurtë, asgjë e keqe nuk do të ndodhë: Edi Rama do të ikë dhe të vetmit që do të marrë me vete do të jenë mercenarët e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin. #ShqipëriaSiEuropa #21qershor