Politika Basha reflekton për listat: Të heqim maliqësit, të fusim intelektualët

Basha reflekton për listat: Të heqim maliqësit, të fusim intelektualët

| Nga American Eye
Shpërndaje

Krahas qytetarëve, Lulzim Basha ka ftuar edhe intelektualët të bëhen pjesë e aksionit opozitar për largimin e Edi Ramës. Kreu demokrat, para artistëve shfaqi shenja reflektimi për gabimin e tij për kandidatët, të cilët i futi në lista dhe tani po ulen në Kuvend.

“Një reflektimi të thellë edhe brenda opozitës për sa i përket misionit tonë në kuptimin afatgjatë, që është në vlerësimin tim misioni i dhënies fund të përfaqësimit të interesave të publikut, nga njerëz që nuk e meritojnë dhe e shpërdorojnë besimin publik. E që në ballë të ndryshimit që duam të gjithë dhe presin të gjithë Shqipëria, të mos jenë maliqërit, por të jetë elita intelektuale”, tha Basha.

Në tryezën me përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Basha denoncoi se pas projektit të godinës së re fshihet afera e pastrimit të parave të pista.

“Kemi prova të mjaftueshme se afera e Teatrit Kombëtar është në thelb një aferë e pastrimit të parave të pista, të kokainës spanjolle”, tha Basha.

Kompozitori Limoz Dizdari, njëherësh ish-deputet socialist, zbuloi debatin që pati me Edi Ramën në kohën kur ai ishte ministër Kulture për prishjen e Teatrit.

“Unë e pyesja me natyrshmëri se me ç’parà do ta bënte, sepse bie miu e thyente kokën. Ai më tha se i kishte premtuar qeveria greke dhe kryeministri i Greqisë se do t’i jepte lekë”, tha Dizdari.

Përfaqësues të aleancës dhe artistë i kërkuan kreut demokrat më shumë vëmendje, si dhe përfaqësim të popullit në vendimmarrje.