Kryesore Basha rikonfirmon Mziun në Kamëz. Por për cilat zgjedhje?

Basha rikonfirmon Mziun në Kamëz. Por për cilat zgjedhje?

Në një kohë që nuk ka ende një vendim për hyrjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Partia Demokratike duket se ka nisur të mendojë për përzgjedhjen e emrave kandidatë.

Gjatë takimit të sotëm në Kamëz dhe Paskuqan me simpatizantë të kësaj partie, kreut të PD Lulzim Basha i ka “shpëtuar” një deklaratë, ku rikonfirmon për një mandat të dytë kreun aktual të kësaj bashkie, Xhelal Mziu.

“Edhe njëherë dua të falenderoj një njeri që ka mbajtur fjalën para jush dhe para meje me punën e përditshme në këto javë, muaj e vite që i besuat mandatin e Bashkisë. Akoma ka shumë halle por jam i sigurt, që kur t’i bashkojmë forcat, pushteti lokal me Xhelal Mziun dhe pushteti qendror me një qeveri që do t’u përgjigjet halleve, ndryshimi pozitiv do të ndihet. Por duhet të fitojmë betejën më 16 mars”, – tha Basha.

Mes të tjerash, ai e quajti Mziun një “kryebashkiak të fjalës së mbajtur” gjatë takimit me demokratë të Paskuqanit.

Fjalët e mira të Bashës në drejtim të Mziut ishin konfirmim i qartë i kandidimit të këtij të fundit për herën e 4-t në zgjedhjet për pushtetin lokal.

Kryebashkiaku i Kamzës, i favorizuar edhe nga moskalimi i kërkesës së PS në KQZ për bllokimin e kandidimeve për drejtuesit e bashkive me 3 ose më shumë mandate, pritet të garojë sërish nën siglën e PD, por dilema është se në cilat zgjedhje.

Megjithatë, mbetet të shikohet ç’do të vendosë zyrtarisht opozita, pasi eksponentë të saj kanë deklaruar se në fund të majit do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se ato lokale do të shtyhen në vjeshtë.

Një qëndrim i mbajtur me këmbëngulje të paktën nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi se sa nga përfaqësues të PD.