Politika Basha rishfaqet në Strasburg, kërkon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës

Basha rishfaqet në Strasburg, kërkon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës

“Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm në zemër të Europës”. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Pas një mungese të gjatë në sytë e publikut shqiptar, deputeti u shfaq në Strasburg në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, nga ku bëri apel që Serbia të pranojë realitetin, që pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Basha iu kundërpërgjigj dhe shqetësimeve të shprehura nga përfaqësuesit e Beogradit.

“Nëse përfaqësuesit e Serbisë sot këtu janë të shqetësuar për të drejtat e minoritetit serb të Kosovës, atëherë le t’i bashkojmë përpjekjet së bashku dhe ta mirëpresim Kosovën si anëtare të Këshillit të Europës, duke lejuar mbrojtjen e plotë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave që ofron ky institucion i nderuar për të gjithë këta anëtarë”, u shpreh Basha

Në favor të pranimit të aplikimit të Kosovës u shprehën edhe përfaqësues të tjerë të vendeve të ndryshme, përfshirë të Ukrainës. Oleksi Goncharenko këshilloi Serbinë që të mos përpiqet të kthejë pas diçka që e ka humbur përgjithmonë, ndërsa shprehu bindjen se vendi I tij do ta njohë shumë shpejt Kosovën e pavarur.

“Së pari dua t’u drejtohem të gjithë kolegëve, atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë. Ukraina, vendi im është njëri prej tyre, unë dërgova projektligjin në Parlamentin ukrainas për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe jam i sigurt se kjo do të ndodhë shumë shpejt sepse ky është realiteti dhe ne duhet t’i emërtojmë gjërat si janë”, tha Oleksi Goncharenko, përfaqësues i Ukrainës në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, John Howel, në Këshillin e Europës, i cili inicioi debatin në Asamblenë Parlamentare lidhur me tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbinë, nënvizoi se aplikimi i Kosovës nuk duhet të mbahet peng i dialogut mes palëve. Gjithashtu përmendi me shqetësim raportimin e BBC se grupi i mercenarëve rusë Wagner po rekruton luftëtarë në Serbi.