Politika Basha, sërish thirrje SPAK për inceneratorët: Çfarë prisni? Merrini të pandehur ata...

Basha, sërish thirrje SPAK për inceneratorët: Çfarë prisni? Merrini të pandehur ata që vjedhin shqiptarët

Pas nisjes së hetimeve nga SPAK për inceneratorët, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka kërkuar sërish kësaj strukture që të thërrasë për të marrë në pyetje të gjithë personat e akuzuar dhe të dyshuar për përfshirje në atë që opozita e quan afera e inceneratorëve.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Basha ka kërkuar nga SPAK që të veprojë sa më shpejt, duke u shprehur se vonesa e hetimeve për këtë çështje do të përkeqësojë akoma më shumë buxhetin e shtetit.

“Përgjegjësinë time si kryetar i opozitës e shoh jo thjesht në denoncime por edhe në shpalosjen e propozimeve realiste. Kam 4 javë ditë për ditë që kërkoj dhe bëj detyrën time duke treguar se çfarë duhet të bëjë një qeveri qoftë edhe në një moment të fundit përgjegjësie. Tani përsëris të njëjtën thirrje për ato organe të reja të drejtësisë. Nuk mjaftojnë deklaratat dhe hapat e breshkës, sepse çdo ditë që ju nuk veproni, ju po inkurajoni vjedhjen. Duhet të shkurajoni vjedhjen. Fillojini merrini në pyetje, thërritini në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. E vetmja arsye pse vazhdojnë të livadhisin është mosveprimi juaj apo veprimi i vonuar. Provat i keni. Do të jetë shumë vonë nëse kjo bandë e strukturuar kriminale vazhdon të përgjakë buxhetin, të marrë paratë e shqiptarëve dhe t’i zhdukë ato në parajsa fiskale. Keni në dorë të veproni sot, keni detyrimin të veproni sot”, deklaroi Lulzim Basha.

Javën e kaluar, Partia Demokratike denoncoi në SPAK koncesionet e inceneratorëve, për të cilat akuzon Kryeministrin Edi Rama, ministrin Arben Ahmetaj, kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe personat që kanë përfituar këto koncensione.