Kryesore Basha: Si do ua rikthej paratë shqiptarëve me mekanizmin “antimafia”

Basha: Si do ua rikthej paratë shqiptarëve me mekanizmin “antimafia”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka prezantuar, këtë të hënë, platformën e PD, anti-oligarki dhe anti-korrupsion, e cila do të zbatohet nëse do të vijë në pushtet.

Basha u shpreh se kjo platformë do të dënojë fajtorët dhe do t’u rikthejë paratë shqiptarëve. “Një ndër ligjet e para që do të miratohet dhe zbatohet nga qeveria e PD, ligji i ri antimafia. Duhen masa ekstreme për të zgjidhur këto lloj situatash ekstreme. S’ka më ekstreme se kjo situatë ku jemi. Në bazë të kësaj platforme, çdo koncesion, tender, licencë korruptive, në thyerje të ligjit është e pavlefshme. Ligji i ri antimafia do të jetë me efekt prapaveprues. Zgjidhjen ne e kemi konceptuar te mekanizmi antimafia, që do të bazohet te parimi ku çdo e ardhur e paligjshme do t’i kalojë buxhetit të shtetit. Ky ligj do të veprojë ndaj pasurive të kompanive, individëve të përfshirë në kontrata korruptive, të paligjshme. Pasuritë e paligjshme sekuestrohen, pavarësisht nëse subjektet dënohen penalisht”.

Më tej, kreu demokrat paralajmëroi se mund të ketë edhe një ministri të dedikuar antikorrupsion.

“Zbatimi i masave do të kalojë nga 3 hallka. Hallka e parë i takon qeverisë, e cila është e para me një strukturë të veçantë, do të ketë detyrën e verifikimit, e cila normalisht do t’i takonte një detyre antikorrupsion, por që ju siguroj që nesër do të jetë një nga dikasteret më të rëndësishëm të qeverisë së re. Ky dikaster do të ketë burimet, njerëzore, fondet, dhe ndihmën ndërkombëtare. Kjo do t’i kalojë më pas SPAK-ut dhe vendimmarrja do të jetë e Gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuara. Barra e provës nuk është te prokurori, por te kompania private dhe te zyrtari që ka miratuar kontratën. Ky është mekanizmi i shpikur në Itali në vitet ’70 për të luftuar fenomene të ngjashme. Me këtë mekanizëm janë ata që duhet të justifikojnë se pse kontrata është e lidhur në mënyrë të paligjshme”, u shpreh Basha.

“Kontratat, tendera apo PPP në shkelje do të futen në procesin e verifikimit, hetimit dhe vendimit nga departamenti antikorrupsion apo ministria antikorrupsion, prokuroria dhe gjykata”, u shpreh Basha.