Politika Basha: Sistemi shëndetësor në kolaps. Rama lëviz si pushtues

Basha: Sistemi shëndetësor në kolaps. Rama lëviz si pushtues

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, doli në një tjetër bashkëbisedim me gazetarët ku foli për krizën sipas tij të pandemisë. Basha tha se në 24 orët e fundit ka parë nga afër se sa i kolapsuar është sistemi shëndetësor. Ai ka treguar se është angazhuar me 4 raste të afërmish me Covid dhe pavarësisht kërkesave për testim, ato janë refuzuar nga ISHP-ja.

“Pavarësisht kërkesave të këtyre rasteve, testimi i pacientëve është refuzuar nga ISHP. Mungesa e testimeve, përpjekje e qëllimshme për të fshehur të vërtetën”, tha Basha.

Basha shtoi se Covid është përhapur shumë shpejt. Kreu i demokratëve deklaroi se Rama refuzon të japë përgjigje për mosblerjen e tamponëve dhe disbursimin e parave për oligarkët në kohë pandemie.

“Refuzon të përgjigjet pse hap para kamerave disa herë spitalin COVID 3 dhe nuk e hap asnjë ditë për pacientët. I fshihet pyetjes se përse nuk paguan bonusin për mjekët dhe infermierët”, tha Basha i cili shtoi se Rama nuk ka asnjë përgjigje për mostestimin e mësuesve.

Opozitari deklaroi se kryeministri lëviz si pushtues.

“Lëviz si pushtues. Kurrë më parë nuk ka lëvizur një kryeministër me autokolona prapa dhe para rojesh. Nga urrejtja e popullit nuk e mbrojnë dot”, tha Basha.

Kreu i opozitës i ktheu përgjigje Ramës dhe tha se ai nuk mund të krahasohet me punët që ka bërë PD-ja gjatë qeverisjes.

Sipas Bashës, Rama “po mundohet të gjejë një vrimë ku të futet dhe të mos japë llogari para shqiptarëve”.

“Shqiptarët e kanë të qartë që një njeri që për 8 vite nuk ndërtoi 1 kilometër rrugë nuk ka as moralin, as cipën të krahasohet me punët e bëra në të shkuarën. Por Edi Rama e di se sa më shumë të merret me gënjeshtra për shtatë vite dështim përpiqet që të heqë vëmendjen nga ajo që shqiptarët do të vendosin me 25 Prill. Shqiptarët do të vendosin për të ardhmen, Edi Rama është e shkuara. Nuk i ka mbetur asgjë tjetër veçse të gënjejë e të shpifë si një i pacipë në prag të largimit. Dua të sjell në vëmendje që kjo sjellje e tij, e gjithë kjo gërr-vërre e tij Nëpër Shqipëri ka një qëllim që të mos kthejë përgjigje pyetjeve që shtrova sot. I arratiset pyetjeve. Nga Kukësi, në Bejrut e kudo që të mundet… Po mundohet të gjejë një vrimë ku të futet dhe të mos japë llogari para shqiptarëve që i ka lënë në mëshirë të fatit. Më 25 Prill kjo do të marrë fund”, tha Basha.

Kryedemokrati u shpreh se pas zgjedhjes së 25 Prillit, nëse del fitues, do të hetojë korrupsionin e rindërtimit.

Tepër sensitiv për të është edhe hetimi i çështjeve të inceneratorëve. Edhe njëherë, Basha u bëri thirrje prokurorëve të SPAK që të tregojnë se ku janë me hetimet dhe se çfarë i pengon që të bëjnë detyrën.

“Çfarë ju detyron të hani turpin me bukë dhe të mos zbatoni ligjin, mos të vini para ligjit grupin e strukturuar kriminal të biznesmenëve dhe politike. Ku jeni me hetimet, pse nuk keni thirru asnjë nga personat e thirrur në këtë aferë. Pse nuk keni marrë asnjë deponim të politikanëve që kanë firmosur në këtë aferë. Pse nuk investigoni? Çfarë ju pengon të bëni detyrën prokurorë të SPAK tashmë që faktet i kanë marrë vesh shqiptarët dhe përtej”, tha Basha.