Politika Basha takim me Nishanin për djegien e mandateve

Basha takim me Nishanin për djegien e mandateve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar me Bujar Nishanin për të diskutuar vendimin ekstrem të djegies së mandateve parlamentare të opozitës.

Takimi vjen një ditë pas mbledhjes së grupit të PD dhe takimeve që kryedemokrati zhvilloi me kryetarët e partive aleate. Bujar Nishani është kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe vendimin e fundit për djegien e mandateve të demokratëve e jep pikërisht ky këshill.

Pas takimit me Nishanin, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Basha tha se nuk do të ketë tërheqje nga vendimi i opozitës për të djegur mandatet. Ajo që Lulzim Basha kërkon, është largimi i Edi Ramës si Kryeministër dhe krijimi i një qeverie tranzitore.

“Nuk ka kthim prapa. Nuk do të ketë më Parlament fasadë. Ata mund të mblidhen të marrin vendime kundër shqiptarëve. Çfarë do të thotë qeveri tranzitore? E para largimi i Edi Ramës dhe hetimi i tij. Qeveria tranzitore detyrë të parë dhe kryesore do të ketë të arrestojë politikanët e kapur në vjedhje votash, Vangjush Dakon. Është qeveria që ndalon arrestimin e tyre. Qeveria duhet të mundësojë që të mos ketë ndërhyrje politike. Vangjush Dako duhet të jetë në burg. Damian Gjiknuri që është kapur duke vjedhur vota, me Ymer Lalën në Dibër që në vitin 2016 duhet të shkojë në burg. Ata që kanë vjedhur vota me Habilajt, me Shullazët, duhet të shkojnë në burg. Taulant Balla që ka vjedhur vota me Çelajt dhe Sanxhaktarët duhet të shkojë në burg. Përndryshe nuk ka për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në burg do t’i çojë drejtësia, por ne na duhet një qeveri që nuk e pengon drejtësinë të bëj detyrën e saj. Hapi i parë është dorëheqja e Ramës dhe për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë”.

Të hënën, grupi parlamentar i Partisë Demokratike votoi unanimisht propozimin e Lulzim Bashës për të djegur mandatet e deputetëve. Në takimin që lideri i selisë blu pati edhe me partitë aleate, ranë dakord për djegien e mandateve. Tashmë fjalën e fundit e ka Këshilli Kombëtar i PD. Vendimin ekstrem, Basha e propozoi të dielën në një deklaratë për mediat një ditë pas protestës së 16 Shkurtit.

Lulzim Basha tha se e ka lexuar qartë mesazhin e protestuesve dhe ka vendosur që Partia Demokratike “të mos jetë fasadë e një Parlamenti të dalë nga krimi”. Për këtë arsye, ai kërkon djegien e mandateve parlamentare të opozitës dhe që vendi të shkojë më pas në zgjedhje të parakohshme përmes një qeverie kalimtare.