Politika Basha, takim me “qëndrestarë të PD-së”: Nuk mbetemi dot peng i hallit...

Basha, takim me “qëndrestarë të PD-së”: Nuk mbetemi dot peng i hallit të Berishës

Lulzim Basha ka takuar në një kafene të Tiranës një grup kontribuesish dhe qëndrestarësh të PD-së në degën 2 në Tiranë.

Ai informoi përmes një njoftimi në Facebook ku bëri me dije se i ishte përgjigjur çdo pyetje dhe interesimi, ashtu siç do të bëjë me të gjithë pjesëtarët e familjes politike demokrate.

“Unë nuk do të bëhem kurrë pjesë e baltosjes, edhe kur të vazhdojnë siç kanë rinisur me të njëjtat sulme, gënjeshtra e mashtrime. Sepse rruga që kalon përmes politikës së vjetër të baltës, akuzave dhe banalizimit të çdo debati publik na mban në vendnumëro dhe nuk mund të sjellë kurrë ndryshim për njerëzit.

Unë bëra një hap pas sepse nuk doja një luftë të brendshme, i bindur se prej saj përfitojnë vetëm kundërshtarët! Dhe ishte gjëja e duhur. Por ja ku jemi. Asgjë s’ka ndryshuar, madje situata është edhe më keq për demokratët dhe shqiptarët,” – tha Basha.

Sipas tij është detyrim i tij t’i përkushtohet opozitës së vërtetë në shërbim të njerëzve sepse vetëm në këtë mënyrë do të vijë ndryshimi i vërtetë i një politike që ka në qendër hallet e qytetarëve dhe jo ato të politikanëve.