Ekonomi Basha: Ulim naftën me 240 lekë. Ekonomia kontrollohet nga një grup kalçetoje

Basha: Ulim naftën me 240 lekë. Ekonomia kontrollohet nga një grup kalçetoje

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka premtuar se çmimi i karburanteve, pavarësisht bursës do të jetë 240 lekë më i ulët.

Në takimin që zhvilloi me biznesin në Durrës, në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”, Basha tha se po ashtu çmimi i energjisë do të jetë më i ulëti se në të gjitha vendet e rajonit.

“Çmimi i karburanteve, pavarësisht bursës do të jetë 240 lek më i ulët dhe sa i përket çmimit të energjisë do të jetë në nivelin më të ultë se gjithë vendet e rajonit”, tha lideri i opozitës.

Basha nuk i kurseu as akuzat në drejtim të qeverisë sa i takon ekonomisë në vend. Basha tha se me ardhjen e PD do të shkrihen të gjitha inspektoratet dhe se do të rishikohet baza europiane për biznesin.

“Ne duhet të largojmë sistemin feudal ku sukses ka ai që njeh dikë. Kemi ekonomi të kontrolluar dhe gjithë pasuria kontrollohet nga një grup kalçetoje. Nëse do të bësh punë dhe të ecësh para duhet të shkosh te kalçeto e Edi Ramës. Ne nuk kemi ndërmend të zëvendësojmë kalçeton e Ramës me një kalçeto tjetër. Ti japim fund ekonomisë së patronazhit. E kanë ndarë ekonominë në dhjetë pjesë dhe kontrollohen nga 10 padronë. Moratorium 6 mujor dhe të gjitha inspektoratet do të shkrihen dhe më pas do të rishikohen mbi baza europiane që të mos jenë terror i biznesit”, tha Basha.

Lideri demokrat u zotua gjithashtu se taksa e transferimit të pronës do të jetë 3% përqind.