Opozita Basha: Uzurpimi i pushtetit vendor, antikushtetues

Basha: Uzurpimi i pushtetit vendor, antikushtetues

Zgjidhjen e propozuar nga ndërkombëtarët që palët të presin ngritjen e Gjykatës Kushtetuese për të adresuar mosmarrëveshjet zgjedhore, Lulzim Basha e konsideron të papajtueshëm me normat demokratike dhe kundër interesit të shqiptarëve.  Në një reagim ai thotë se ky skenar minon shtetin e së drejtës.

“Qëndrimi le ta uzurpojë pushtetin vendor Edi Rama në mënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme, se pas ca muajsh do krijojmë Gjykatën Kushtetuese dhe pastaj gjykon ajo me prapaveprim, bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës dhe me parimet bazë të demokracisë.  Çdokush që pranon në heshtje apo pajtohet me vetëdije me këtë shkatërrim të Kushtetutës dhe të institucionit themelor të demokracisë, zgjedhjeve të lira, nuk i shërben as demokracisë dhe as interesit të shqiptarëve.”

Sipas Bashës 30 Qershori është nul, sepse cenon sundimin e ligjit dhe nuk mund të prodhojë asnjë përfaqësim politik. Ai thotë se ka vetëm një rrugë për zgjidhjen e krizës.

“Kriza politike në Shqipëri nuk mund të zgjidhet me pandëshkueshmëri, duke i bërë lëshime apo duke falur krimet, vjedhjet dhe shkeljet e ligjit. E vetmja rrugë drejt politikës normale dhe demokratike është ajo e sundimit të ligjit, që do të thotë, mbi të gjitha, një gjë: ndëshkim të politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet dhe kanë bashkëpunuar me krimin. Ndëshkimi i politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe sundimi i ligjit nuk mund të diskutohen apo negociohen në tavolina politike.”

Një ditë më parë kreu i Partisë Demokratike mblodhi kryebashkiakët e djathtë për hapat lidhur me vazhdimin ose jo të ushtrimit të mandatit të tyre, vendim që pritet të merret në orët në vijim.